Pelegrinazhi i Haxhit, rritet në 769 numri i të vdekurve; Irani: Të hetohet si krim

27/09/2015 00:00

Numri i viktimave të pelegrinazhit të përvitshëm të Haxhit, në zonat periferike të vendit të shenjtë të Mekës është rritur në 769 të tillë, sipas njoftimit nga autoritetet e Arabisë Saudite të së shtunës, ndërkohë që rivalët më të mëdhenj në rajon, Irani ka kërkuar që zyrtarët arabë të paditen në gjykatën ndërkombëtare për atë që ata e quajtën ngjarje kriminale.

Fatkeqësia më e keqe që ka prekur eventin më të rëndësishëm të fesë islame gjatë çerekshekullit të fundit ndodhi pikërisht ditën e enjte, kur dy grupe të mëdha pelegrinësh mbërritën në të njëjtën kohë në kryqëzimet e Minas, vetëm pak kilometra larg qytetit të shenjtë.

“Shifrat më të fundit flasin për rreth 769 të vdekur, pra për 52 viktima më shumë nga sa ishte bërë e ditur më herët”, tha ministri saudit i Shëndetësisë, Khalid al-Falih, në një konferencë për shtyp. “Këta të fundit janë viktima të shënuar nëpër spitalet e ndryshme të vendit, ku u transportuan pas fatkeqësisë”, tha ai më tej, duke shtuar se edhe numri i të plagosurve ka shkuar në 934.

Ndërkohë, Irani me shumicë myslimane shiite, e që është përfshirë në një luftë tepër të ashpër me vendet arabe në lidhje me qëndrimet e monarkisë saudite, sërish me shumicë myslimane, ka bërë të ditur se të paktën 136 iranianë kanë qenë mes të vdekurve, duke shkaktuar kështu protesta dhe irritime në Republikën Islamike gjatë së premtes.

Mbi 300 iranianë të tjerë rezultojnë të zhdukur, përfshi edhe ish-ambasadorin në Liban, Ghazanfar Roknabadi, siç ka raportuar agjencia e lajmeve “Fars”.

“Do të nxisim gjykatat ndërkombëtare dhe qarqet më të larta për të nisur hetimet ndaj sauditëve, për krimet e kryera prej tyre kundër pelegrinëve të Haxhit”, tha kryeprokurori iranian, Ebrahim Raisi, i cituar nga agjencia studentore e lajmeve, ISNA, ditën e shtunë. “Kjo nuk është paaftësi, por është një krim”, tha Raisi për rrjetin televiziv IRIB.

Edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti iranian, Hassan Rouhani ka shfrytëzuar fjalimin e tij për të kërkuar një hetim ndërkombëtar në lidhje me incidentet.

Top Channel