Mbahen zgjedhjet lokale në Katalunja; sprovë e rëndësishme për Pavarësinë

27/09/2015 00:00

Katalunja voton sot në zgjedhjet lokale, të cilat partitë nacionaliste shpresojnë t’i fitojnë për t’i futur në rrugën e duhur drejt Pavarësisë nga Spanja. Dy prej këtyre partive separatiste kanë bashkuar forcat dhe synojnë që të sigurojnë shumicën e vendeve në pushtetin lokal, apo 68 nga 135 vendet e Parlamentit.

Sipas tyre, kjo do t’u lejonte të deklaronin në mënyrë të njëanshme Pavarësinë nga mbretëria e Spanjës brenda 18 muajve. Qeveria e qendrës në Madrid është angazhuar se do të bllokojë në gjykatë të tilla lëvizje.

Megjithatë, sondazhet tregojnë se shumica e katalanasve janë në favor të një referendumi për Pavarësi, por janë po aq të ndarë edhe mbi çështjen nëse duan vërtetë të shkëputen prej Spanjës.

Qendrat e votimit janë hapur që prej orës 9 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20 të mbrëmjes. Partia në pushtet “Convergencia” e kreut katalanas, Artur Mas, dhe “Esquerra Republicana” kanë krijuar një listë të përbashkët kandidatësh, nën sloganin “Së bashku për Po-në”.

Ata thonë se vota e së dielës është një referendum “de facto” mbi çështjen e pavarësimit nga Spanja. Sipas tyre, qeveria spanjolle ka refuzuar vazhdimisht të lejojë një referendum të njohur ligjërisht, duke injoruar një votim jozyrtar që mbështeti pavarësinë në nëntor të vitit 2014.

Rajoni i Katalunjës, në verilindje të Spanjës, është ndër më të pasurit e vendit të gadishullit Iberik. Madje, qeveria e qendrës së djathtë në Madrid i ka përshkruar planet e veçimit si të “pakuptimta”, pasi humbja e Katalunjës do të kishte ndikim në të gjithë Spanjën.

Top Channel