Rëndësia e “të ndarit” në shoqërinë tonë

27/09/2015 00:00

Nga KLODIANA BESHKU – Në një kënd lojërash diku nëpër botë (nuk ka rëndësi në Perëndim apo në Lindje, pasi fare mirë mund të jetë edhe në Lindje): Fëmijë 3-4-vjeçarë të cilët luajnë me njëri-tjetrin, të qetë, të qeshur, pa dhunë, pa inate, pa vendosur medoemos se kush është i pari, pa u hakmarrë se dikush u mori lodrën.

Nëna të reja prej të cilave dëgjon fraza të tilla si: “Jepja edhe djalit/vajzës lodrën”, “luani bashkë”, “hipni me radhë te rrëshqitësja”, “sa të mbarojë djali/vajza te lisharësja, pastaj e ke radhën ti”, “mos ia merr lodrën”, “nuk ka rëndësi e kujt është, luani bashkë”, e të tjera si këto.

Në një kënd lojërash në Shqipëri: Fëmijë 3-4-vjeçarë që zihen me njëri-tjetrin, të inatosur, në garë, në sfidë të vazhdueshme, në luftë se kush do të jetë i pari. Nëna të reja të cilat rrinë indiferente ose edhe kur ndërhyjnë, i dëgjon tek thonë: “Merrja mami se është lodra jote”, “po si ta zuri vendin ai/ajo ty?”, “po si të gjuajti? Po ti pse nuk i gjuajte?”, “jo, është e tij/e saj, se të bërtet mamaja e atij/asaj pastaj”. Te kjo e fundit kanë të drejtë, në fakt: kam parë nëna të reja të cilat janë ngritur vetë në këmbë për të mbrojtur lodrën e djalit/vajzës së tyre dhe për ta futur, me një gjest heroik, në çantën e tyre personale.

Filozofia e “të ndarit” (to share në anglisht, condividere në italisht apo partager në frëngjisht) duket t’i përkasë një epoke të shkuar në shoqërinë tonë, asaj epoke e cila e kishte të lidhur këtë filozofi me fenë apo me regjimin monist. Asokohe, në fakt, konsiderohej vlerë e rëndësishme të ndarit të bukës me fqinjin, të ndarit të hapësirës me shokët, të ndarit të punës apo të mendimeve me kolegët, të ndarit të lodrave mes fëmijësh. Ende më kujtohet filmi për fëmijë “Mimoza llastica”, teksa Mimozës i mbanin qëndrim të gjitha shoqet e mëhallës, sepse nuk ndante me to lodrat e saj të shtrenjta të sjella nga jashtë shtetit.

Duket sikur shoqëria jonë tashmë ushqen një “alergji” natyrore ndaj këtij koncepti. Edhe vetë fjala “të ndash” diçka me të tjerët duket sikur përcjell një “të hequr” prej vetes, aq sa termi i saktë “të bashkëndash” tingëllon i huaj për veshin tonë. Në fakt, koncepti në fjalë ka lidhje të drejtpërdrejtë me konceptin e materializmin dhe dihet se, aty ku materializmi është i rëndësishëm, është e rëndësishme edhe filozofia e “secilit për vete”. Lidhja ngushtë e një shoqërie me tregun dhe me filozofinë e tregut e atë të fitimit nuk prodhon vetëm zhvillim dhe pasurim, por prodhon edhe prindër të cilët edukojnë fëmijët e tyre në po të njëjtën mënyrë. Qëllimi është, sigurisht, pozitiv: “të bëhen të zotët e vetes”, por pa konsideruar që në të ardhmen, ata vërtet mund të bëhen “të zotë e më të shkathët”, por njëkohësisht mund të kthehen në “ujqër për njëri/tjetrin”. Kjo jo vetëm ndaj “të tjerëve”, por edhe ndaj vetë motrës, vëllait ose prindit. Duhet thënë kjo, pasi që si shoqëri na pëlqen të arsyetojmë ngushtësisht veç me veten. Mund të ndodhë fare mire edhe kështu, nëse fëmija edukohet larg vlerave të përbashkëta dhe të “të bashkëndarit”. Ai mund ta kthejë ndaj vetë-vetes dhe familjes së tij këtë mungesë vlerash një ditë.

Nuk ka vend këtu e për të analizuar doktrinat ekonomiko-politike dhe evolucionin e tyre, por një gjë është e qartë: duket sikur koha në vendin tonë ka mbetur në vend tek idetë e Adam Smith duke ndalur më së largu deri te Friedrich Hayek apo Milton Friedman e duke i adhuruar këto ide si të ishin të vetmet e më të suksesshmet në absolut. Duket sikur shoqëria jonë njeh vetëm Karl Marx-in nga ana tjetër, aq sa për ta hedhur tërësisht poshtë atë dhe nuk shkon më tej. Në debatin tonë publik nuk diskutohet për teoritë e ciklit social të John Maynard Keynes apo për alternativat sociale të Karl Polanyi apo Amartya Sen, për të vënien në dyshim të kapitalizmit të kulluar si Jeremy Rifkin apo vënien në shënjestër të rritjes së pabarazisë mes njerëzve dhe rrezikun që i kanoset botës nga ky fenomen sipas Joseph Stiglitz-it. Pakkush në Shqipëri e njeh bestsellerin botëror të Thomas Piketty “Kapitali në shekullin e njëzetenjë” ku përshkruhet në mënyrë të detajuar e brilante rreziku i degradimit të demokracisë që shkakton tregu si qëllim në vetvete, së bashku me fitimin dhe materializmin e pastër. Ajo që dua të analizoj këtu, është thjeshtë e shkoqur, se çfarë i ndodh shoqërisë apo vetë familjes në rast se nuk zbatohet sadopak filozofia e “të bashkëndarit” të gjërave që gjithsecili zotëron.

Sado i shkathët, i zgjuar apo i pasur të bëhet fëmija yt në të ardhmen, ai nuk do të jetojë kurrsesi mirë nëse është i rrethuar nga fëmijë të tjerë, të cilët nuk i kanë këto mundësi. Fëmija yt i zgjuar, i pasur i shkolluar do të mund të jetojë i izoluar nga të gjitha të këqijat, patjetër: në shkollat më të shtrenjta, në zyrat e qiellgërvishtësve më të lartë, në shtëpitë në ndërtesa me rojë private, por gjithsesi një ditë do i duhet të dalë në rrugë. Aty do të përballet me mjerimin, me mosshkollimin, me arrogancën që u vjen të tjerëve nga pasiguria dhe frika. Do i duhet të ruhet nga çdo gjë, nga të paudhët, nga huliganët, nga rrëmbyesit, nga gjithçka që prodhon një shoqëri me një hendek të madh mes të pasurve dhe të varfërve: si krimi i organizuar, droga apo injoranca. Edhe sikur vetë fëmija juaj të arrijë maksimumin e tij, do të jetë, siç mund të ilustrohet me thjeshtë, si një njeri që i përket kastës së lartë në vende si Meksika apo Brazili (vende ku idetë e Friedman kanë triumfuar suksesshëm): I shoqëruar gjithnjë nga një truprojë që e mbron prej rrëmbimit nga klanet kriminalo-mafioze që vijnë prej kastës së ulët.

Krahasimi mund të duket i ekzagjeruar, por në fakt, materializmi dhe etja për fitim të pakufi, këtë ka krijuar në këto vendet: geto ose “komunitete apolitike” siç do të shprehej filozofja Hannah Arendt, apo “komunitete shpërthyese” sipas sociologut polak Zygmund Bauman-it, ku ruajtja e sigurisë për këdo (edhe për fëmijët) do të ketë një çmim shumë më të shtrenjtë sesa jetesa e tyre thjesht e përditshme. Le të kthehemi përsëri te fëmijët tanë të cilët po i mësojmë të bëhen të shkathët e të fortë. A jemi të sigurt se ata do të dinë të ndajnë qartë “ku ka interes” dhe “ku nuk ka interes” apo si “duhet” e “si nuk duhet” të trajtojnë neve apo të tjerët? A nuk e mësojmë kështu, pa dashje, të ngrejë mure? Disa mure të trasha, të padepërtueshme, për të mbajtur larg të keqen e të padëshirueshmen. Mu si qeveria e Hungarisë, atdheut të vetë Karl Polanyi-t, trumbetuesit të politikave sociale si alternativë e jetesës pasmoderne, ngriti muret më të larta ndaj emigrantëve të luftës. Por emigrantët depërtojnë ngado, pasi kryesisht emigracioni dhe terrorizmi janë dhe do të vazhdojnë të jenë për shumë kohë plagët e reja të botës aktuale, të kësaj bote që krijuam vetë ne banorët e saj, në momentin që iu larguam vlerave. Prandaj, le të aplikojmë paksa në jetën e përditshme zgjidhjen që propozon Thomas Piketty: atë të taksimit të fortë progresiv e cila e aplikuar në jetën e përditshme do të thotë një detyrim më i fortë moral për t’iu dhënë më shumë të tjerëve pikërisht ata të cilët kanë më shumë, për të bashkëndarë sa më shumë lodra, ushqim, hapësira dhe ide me njëri-tjetrin. Nëse nuk mund ta bëjmë këtë, më mirë të lihen fëmijët të luajnë të qetë.

Top Channel