PD: Me urdhër të Kokëdhimës po spastrohet administrata në jug

27/09/2015 12:30

Partia Demokratike ka denoncuar sërish spastrimin e administratës dhe zëvendësimin me militantë. Sekretari i përgjithshëm Arben Ristani ka publikuar një dokument, sipas të cilit urdhërohet kalimi në sitë i administratës në jug të vendit.

“Operacioni i partisë për spastrime nga puna dhe krijimin e vendeve për militantët ka nisur edhe në Jug, nën drejtimin e komisarit Kokëdhima. Pasi mori gjithë zonën e Jugut nën zotërim me dekret të posaçëm nga Edi Rama, puna e parë e Koços ka qënë kalimi në sitë i administratës, identifikimi i çdokujt që mund të ketë biografi jo të mirë. Ja ku është shkresa që zyra e Kokëdhimës ka shpërndarë për gjithë institucionet, ku i kërkohet me urgjencë të plotësohen formularët për çdo punonjës të administratës. Plani i partisë ka nisur të zbatohet dhe një furtunë shkarkimesh priten në gjithë zonën që ka nën komandë Kokëdhima”, deklaroi Ristani.

Z. Ristani e konsideron një akt skandaloz të shkatërrimit të administratës dhe minim i një prej prioriteteve kyçe në rrugën e integrimit europian.

“Konsiderojeni prioritet”, thotë urdhëri i Koços, dhe për ata që kanë deri në 20 punonjës u jep afat 1 ditë, për ata që kanë nga 20 deri në 50 punonjës u jep afat 2 ditë, për ata që kanë 50 deri në 100 punonjës u jep 3 ditë, dhe 5 ditë kohë kanë ata që kanë mbi 100 punonjës. Ky është një akt skandaloz i shkatërrimit të administratës, i konsiderimit të institucioneve publike si pronë e partisë. Eshtë një kthim mbrapa dhe minim i një prej prioriteteve kyçe në rrugën e integrimit europian”, tha ai.

Ristani tha se PD do të vërë në dijeni partnerët ndërkombëtarë për shkatërrimin e administratës, si dhe u shpreh se PD do të përdorë çdo mjet për të mbrojtur nëpunësit.

Top Channel