Prrenjas, 70 familje në rrezik nga masivi shkëmbor. Kërkohet evakuimi

27/09/2015 00:00

Dhjetëra familje të fshatit Sutaj, në Bashkinë e Prrenjasit, rrezikohen nga shembja e një masivi shkëmbor, i cili me nisjen e reshjeve është bërë më aktiv.

Pjesë të mëdha të këtij shkëmbi kanë rënë gjatë mesditës së të shtunës, duke shkuar shumë pranë shtëpive dhe duke vënë në rrezik serioz jetët e banorëve.

Në pamundësi për t’u strehuar diku tjetër, banorët bëjnë roje gjatë natës për të shpëtuar fëmijët në rast shembjeje. Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme për zhvendosjen e masivit shkëmbor.

Specialistë të Emergjencave Civile, Prefekti i Qarkut të Elbasanit dhe kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit kanë parë nga afër gjendjen e këtyre familjeve, duke bërë thirrje të menjëhershme për evakuimin e tyre. Prefekti Arben Kamami tha se situata është kritike, ndaj dhe janë marrë masat për strehimin e banorëve.

Janë rreth 70 familje në fshatin Sutaj, të cilat rrezikohen nga shkëputja e masivit shkëmbor. Fatmirësisht, pjesët e shkëputura të shkëmbit deri më tani kanë goditur kasollet e bagëtive.

Top Channel