Tragjedia e Mekës, sauditët: Rezultatet e hetimit do të jenë publike

27/09/2015 00:00

Tragjedia e konsumuar në Mekë, të enjten, ka zhytur Iranin e Arabinë Saudite në një qerthull akuzash e replikash.

Hassan Rouhani, Presidenti i Republikës Islamike që humbi mbi 140 shtetas në ikjen e rrëmujshme të 4 ditëve më parë, kërkoi gjatë fjalimit në Asamblenë e OKB-së një hetim të plotë mbi ngjarjen.

Nuk vonoi shumë, e pas tij edhe udhëheqësi suprem, Ajatollahu Ali Khamenei e bëri të qartë se, nga sauditët pretendohet një ndjesë publike për ngjarjen e rëndë.

Në sytë e këtyre të fundit, siç e dëshmoi deklarata e bërë të shtunën nga ministri i Jashtëm, Adel al Jubeir, iranianët po bëjnë politikë, me atë që ishte incidenti më i rëndë i shënuar gjatë pelegrinazhit të Haxhit në 25 vite.

“Çdo fakt që do të dalë në dritë, do të jetë publik – ishte zotimi i tij. – Nuk do të mbajmë asnjë informacion për vete. Nëse janë bërë gabime, autorët e tyre do të mbajnë përgjegjësi të plotë”, tha Al Jubeiri gjatë takimit me homologun amerikan, John Kerry, në Nju Jork.

“Dhe të jeni të sigurtë – shtoi kryediplomati saudit, – se do të nxjerrim mësime nga kjo ngjarje e do të sigurohemi, që episode të tilla të mos ndodhin më”.

Teherani është betuar të ndërmarrë veprime ligjore kundër sauditëve për ngjarjen, të cilën nuk e sheh thjesht si pasojë të paaftësisë së autoriteteve të Mbretërisë së Gjirit Persik për të menaxhuar situatën, por e konsideron krim.

Sipas kryeprokurorit iranian, Ebrahim Raisi, autoritetet saudite kishin bllokuar një rrugë të përdorur nga pelegrinët, për t’i lejuar kalimin një autokolone mbretërore, e kjo ka sjellë përplasjen e njerëzve, që rezultoi në gati 770 të vdekur.

Mjaft ekspertë mendojnë megjithatë se, indinjata e Teheranit nuk lidhet vetëm me jetët e humbura të shtetasve të tij. Pas saj ka vërtet edhe motive politike, duke qenë se beteja për dominim rajonal me Rijadin ka ardhur së fundi në ashpërsim, ndërsa mosmarrëveshjet kanë edhe një përmasë fetare: rivalitetin e vjetër mes shiitëve të Iranit dhe sauditëve sunitë.

Top Channel