Francë, burgosen dy shqiptarë. Trafikonin emigrantë drejt Anglisë

27/09/2015 00:00

Dy shqiptarë të përfshirë në trafikun e emigratëve nga Franca në Angli janë dënuar nga një gjykatë franceze në qytetin Dunkirk.

Mediat britanike dhe franceze raportojnë se, Denis Rexhaj është dënuar me 3 vite burg; kushëriri i tij, Mirjan Rexhaj, me 18 muaj burg; ndërsa bashkëpunëtorja e tyre franceze, Ahcene Lamri, me dy vite burg.

Shqiptarët kishin rekrutuar disa shoferë kamionësh rumunë, të cilëve u paguanin 2 mijë stërlina për çdo emigrant që do të kalonin për në Angli.

Me të mbërritur në Francë, emigrantët strehoheshin në një hotel, nën menaxhimin e shtetases franceze, Ahcene Lamri, e cila çdo muaj përfitonte 10 mijë euro nga strehimi i tyre.

Emigrantët paguanin deri në 5.000 stërlina për të kaluar drejt Anglisë.

Denis Rexhaj ishte pjesë e një organizate trafiku, drejtuar nga shtetas britanik, dhe për çdo emigrant përfitonte 350 stërlina.

Ndërkohë, në gjykatë u mësua se kushëriri i tij, Mirjan Rexhaj, po bëhej gati të ndërtonte vetë një rrjet trafiku njerëzish nga Franca drejt Anglisë.

Gjithashtu, raportohet se 4 shqiptarë të tjerë morën dënime nga 7 deri në 30 muaj burg, pasi kanë pranuar përfshirjen në trafik. Çështja e tyre është gjykuar nga Gjykata e qytetit Boulogne, javën e shkuar.

Top Channel