Krimet e Rënda kërkojnë konfiskimin e llogarive të Ismailajt

27/09/2015 00:00

Top Channel ka siguruar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nëpërmjet së cilës i kërkohet gjykatës konfiskimi i llogarive bankare të Kastriot Ismailajt dhe të nënës së tij, Luftie Ismailaj.

Në referim të ligjit Antimafia, pohojnë prokurorët, ndaj këtyre dy shtetasve ka nisur hetimi pasuror, duke qenë se ndaj 52-vjeçarit po zhvillohen hetime për “mashtrim me pasoja të rënda, në bashkëpunim” dhe “pastrim parash”.

Prokurorët e Krimeve të Rënda deklarojnë se llogaritë bankare të shoqërisë “ADC”, me administrator Kastriot Ismailajn, janë produkt i pastrimit të parave. Për subjektin “ADC”, shtojnë prokurorët, më herët janë sekuestruar e tashmë duhet të konfiskohen për të kaluar në llogari të shtetit, 8 depozita që janë me vlera të konsiderueshme, që të gjitha në valutat euro dhe dollar.

Prokurorët shtojnë më tej se, janë kryer verifikime se cili është burimi i të ardhurave të Ismailajt, ndërkohë që ai nuk ka depozituar asnjë akt apo apo memo, me anë të të cilave të shpjegojë burimin e ligjshëm të të ardhurave, për të justifikuar në këtë mënyrë llogaritë e sekuestruara.

Këto pasuri, thuhet në kërkesë, janë krijuar pas muajit janar të vitit 2010, kohë për të cilën ai është nën hetim për “mashtrim”, për dosjen e CEZ-it, ku sipas Prokurorisë së Tiranës ka dyshime se, duke krijuar shoqëri fiktive me objekt mbledhjen e borxheve, ai ka shkaktuar një dëm ekonomik prej afro 5 milionë eurosh.

Për këtë kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda do të flasë në fillim të javës, ndërkohë që e njëjta gjykatë ka po ashtu nën shqyrtim edhe një dosje tjetër të ngjashme kundër nënës së Ismailajt, në llogaritë e së cilës janë kryer transaksione në vlerat mbi 150 mijë euro.

Top Channel