Avokatura e Shtetit: Asnjë pengesë për hetimet ndaj ish-zyrtarëve të CEZ

27/09/2015 00:00

Pas debateve të ditëve të fundit, nëse mund të ketë hetim penal ndaj ish-zyrtarëve të CEZ për shkak të një marrëveshjeje të firmosur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke, Avokatura e Shtetit deklaron në rrugë jozyrtare se nuk ka asnjë pengesë.

Një burim jozyrtar i tha Top Channel se, “Në asnjë nen të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim nuk jepet garanci për mosfillimin e procedimeve penale, e aq më pak për falje apo heqje dorë nga asnjë e drejtë e shtetit shqiptar, për kryerjen e hetimeve për veprat penale, që mund të rezultojnë se janë kryer nga ndonjë prej anëtarëve të grupit CEZ”.

Por, çfarë parashikon marrëveshja? Në marrëveshje parashikohet vetëm e drejta e kërkesës për dëmshpërblim ndaj grupit CEZ, kundrejt çdo kostoje dhe shpenzimi të arsyeshëm dhe të dokumentuar për humbjet, që mund t’i shkaktohen CEZ-it për shkak të shkeljes së pretendimeve përkatëse të listuara qartë në marrëveshje, të cilat në asnjë rast nuk përfshijnë procedimet penale – thonë burimet nga Avokatura, – por vetëm pretedimet civile të lidhura kryesisht me procesin e Arbitrazhit të nisur nga ana e tyre, dhe vendimet e marra nga organet shqiptare, përfshirë ato tatimore dhe ERE, gjatë ushtrimit të aktivitetit ekonomik të grupit CEZ apo anëtarëve të tij.

Përpos Kastriot Ismailajt, Prokuroria e Tiranës tha në rrugë jozyrtare se ka vendosur në hetime dhe ish-drejtorin e CEZ në Shqipëri, Josef Hajcek, i cili dyshohet se është njëri ndër bashkëpunëtorët e Ismailajt.

Top Channel