Dhoma e Avokatisë padit qeverinë për VKM-në e TVSH-së

27/09/2015 00:00

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka paditur Këshillin e Ministrave në Gjykatën e Apelit Administrativ, duke kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të një VKM-je të dhjetorit 2014, për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Të gjithë avokatët në vend i kërkojnë gjyqësorit të trajtohen të barabartë me bizneset, të cilave në referim të ligjit, Këshilli i Ministrave u ka caktuar si kufi minimal të qarkullimit vjetor për regjistrimin për TVSH, në shumën e 5 milionë lekëve.

Ndërkohë që neni 2 i të njëjtit ligj, pavarësisht qarkullimit vjetor, për avokatët vendos si kufi minimal të regjistrimit për TVSH, vlerën zero.

Në seancën e radhës, sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, Edmond Konini u tha gjyqtarëve administrativë se, kjo dispozitë është në tejkalim ligjor e antikushtetues, pasi duke vendosur një rregull të tillë ka ndikuar edhe në shërbimin ndaj publikut, duke rritur ndjeshëm çmimet e avokatisë prej 20 për qind, aq sa është edhe vlera e TVSH-së.

“Kërkojmë trajtimin e avokatit si subjekt biznesi, njësoj si të gjitha të tjerat. Në ligj, ne trajtohemi në një mënyrë krejt diskriminuese, sepse është zero qarkullimi vjetor i xhiros për avokatin. Pra avokati, edhe 100 lekë po bëri xhiro, duhet të paguajë TVSH-në prej 20 lekësh. Ligji autorizon Këshillin e Ministrave të vendosë kufirin ndarës mes biznesit të vogël dhe biznesit të madh. Edhe pse ligji thotë për një kufi ndarës, Këshilli i Ministrave në kundërshtim me këtë ka përcaktuar për të gjitha bizneset e Shqipërisë xhiron deri në 5 milionë lekë me VKM-në e fundit, nga 8 milionë që ka qenë, ndërsa për avokatët dhe disa profesione të tjera të lira ky nivel xhiroje është zero”, thotë Edmond Konini, sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë.

Dhoma e Avokatisë i thotë Gjykatës Administrative se, ky qëndrim i Këshillit të Ministrave kufizon lirinë e veprimtarisë ekonomike avokatore, pasi ligji parashikon se të gjitha subjektet, që plotësojnë kriteret për biznese të vogla, me dëshirën e  tyre mund të zbatojnë regjim normal TVSH-je, ndërkohë që avokatëve kjo e drejtë u mohohet.

Në këto kushte, thonë avokatët, neni 11/3 i VKM-së datë 29 dhjetor 2014 duhet të shfuqizohet nga gjykata.

Top Channel