Turizmi, paketë si për fasonët

27/09/2015 16:15

Qeveria po përgatit një paketë të ngjashme me atë të fasonëve për sektorin e turizmit, që parashikon aplikimin e TVSH-së së reduktuar për strukturat akomoduese, kërkesë kjo e vazhdueshme e grupeve të interesit.

“Në rajon kemi Greqinë që e ka 6.5 %, Malin e Zi që e ka 7% por kemi edhe Maqedoninë që e ka 5, Italia 8 %. Kemi propozuar një reduktim në 10 % të TVSH-së, por mund të bëhet 7 deri në 10, ky është diskutimi”, shprehet Sonja Popa, drejtore e Zhvillimit të Turizmit, MZHETST.

Paketa parashikon vendosjen e taksës fikse 100 lekë për fjetjen dhe mbështetjen me kredi të buta për bizneset që duan të investojnë për përmirësimin e infrastrukturës, duke adresuar kështu edhe problemin e madh të turizmit shqiptar, cilësinë e dobët të shërbimeve.

Zonja Popa thotë se me ligjin e ri, strukturave akomoduese do t’u lihet një periudhë 18 mujore për të aplikuar për klasifikimin sipas yjeve. Popa thotë se skema përmban 270 kritere nga struktura fizike tek stafi dhe kontrolli do të kryhet nga një institucion i pavarur nga ministria për t’u monitoruar më pas nga Inspektorati i Turizmit.

“Mund të jetë kompani e huaj apo shqiptare, përpilon një raport në bazë të vizitës dhe mbi këtë ministria vendos. Klasifikimi vlen katër vite sepse kjo është periudha maksimale që mund të ruash klasifikimin pa bërë investim”, thotë drejtoresha e Zhvillimit të Turizmit.

Popa thotë se janë rreth 1000 hotele që pritet ti nënshtrohen klasifikimit dhe se në sezonin e ri turistik veror do të kemi hotelet e para me yje.

Top Channel