Papa, takim me viktimat e abuzimeve seksuale

27/09/2015 16:50

“Zoti qan për vuajtjet tuaja”, kështu u tha Papa Françesku disa prej viktimave të abuzimeve seksuale, të cilët i takoi në ditën e fundit të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.

Pas takimit dhe lutjeve të zhvilluara me ta, lideri shpirtëror i miliona katolikëve premtoi se personat përgjegjës për skandalin që përfshiu kishën do të mbanin përgjegjësi.

“Unë premtoj se të gjithë ata që janë përgjegjës për abuzimet seksuale ndaj të miturve do të marrin dënimin e merituar. Këto krime nuk mund të mbahen sekret për një kohë të gjatë”, u shpreh Papa Françesku.

Kreu i kishës katolike u takua me disa prej viktimave të abuzimit seksual nga kleri, anëtarë të familjes së tyre ose mësuesit e tyre. Grupi përbëhej nga 5 persona, tri gra dhe dy burra, secili prej tyre ishte i shoqëruar nga një anëtar i familjes. 

Fillimisht Papa dëgjoi historitë e trishta të tyre dhe më pas mbajti një fjalim, ndërsa në fund i përshëndeti edhe individualisht. Ai u lut me ta.

Ati i Shenjtë përsëriti edhe një herë angazhimin e kishës për të vënë para drejtësisë abuzuesit me të miturit. Papa falenderoi viktimat për kontributin e tyre thelbësor për të rivendosur të vërtetën. Takimi zgjati rreth gjysmë ore dhe përfundoi me bekimin e Papës.

Top Channel