Kosovë, kryetari i Junikut akuzon qeverinë për diskriminim

27/09/2015 17:25

Kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuqi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka diskriminuar komunën që drejton ai, me ndarjen buxhetore.

Në një konferencë për media të mbajtur në selinë e partisë prej nga vjen, Kuqi akuzoi Ministrinë e Financave se ka diskriminuar qytetarët e Junikut.

“Ndarja e buxhetit për vitin 2016 për komunën e Junikut nga ana e ministrit të Financave Avdullah Hoti, tregon qartë se Qeveria e Republikës së Kosovës dëmton rëndë gjithë punën dhe angazhimin tonë për jetë më të mirë dhe perspektivë për qytetarët e saj. Në fakt ndarja e buxhetit për komunën e Junikut për vitin 2016 është një ndarje e njëanshme, subjektive, joserioze, e papërgjegjshme, mbi të gjitha është një ndarje apo veprim diskriminues”, shprehet Agron Kuqi, kryetar i komunës së Junikut.

Për këtë gjë, ai thotë se ka bërë ankesa të ndryshme deri më tani, por që ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ana e Qeverisë.

Ai ka paraqitur gjatë konferencës disa tabela krahasuese me komunat tjera, ku shihen se disa komuna me më pak banorë se Juniku, kanë marrë shumë më shumë para për kokë banori.

Kuqi ka kërcënuar se në rast se Qeveria nuk ndërmerr masa, ai së bashku me qytetarët e Junikut do të dalin para ndërtesës së qeverisë për të kërkuar rritjen e buxhetit për komunën e tyre.

Menjëherë pas kësaj konference ka reaguar Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” tha se Qeveria zbaton kritere të njëjta për të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët.

Sipas Mustafës, nëse del se rregulla e njëjtë nuk është zbatuar si duhet, ajo do të zbatohet, ndërkaq ata që nuk e kanë zbatuar, sipas Mustafës duhet të japin përgjegjësi.
Mustafa ka thënë se Ministria e Financave dhe Departamenti i buxhetit të komunave do të japë shpjegim konkret lidhur me zbatimin e kritereve.

Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka shkruar po ashtu në “Facebook” se në ndarjen buxhetore të komunave, Juniku është i barabartë me komunat tjera.

Madje sipas tij, komuna që drejtohet nga Agron Kuqi, me rishikim të buxhetit në muajin korrik ka marrë shtesë buxhetor nga qeveria.

Top Channel