Kryeministri i Indisë: Rrjetet sociale kanë fuqi politike

28/09/2015 10:55

Kryeministri indian Narendra Modi vlerësoi fuqinë politike të rrjeteve sociale, ndërsa zhvilloi një vizitë në selinë qendrore të Facebook-ut në Kaliforni.

“Të gjithë liderëve të botës i bëj thirrje që nuk mund të fitojnë duke u larguar nga rrjetet sociale”, deklaroi Modi.

Mediat amerikane bënë me dije se kryeministri indian tregoi që ishte mjaft popullor, pasi në evenimentin që u moderua nga themeluesi i Facebook-ut, Mark Zukerberg, nuk pati asnjë vend bosh. Gjatë fjalimit të tij, Modi tha se forca e rrjeteve sociale është se mund t’i tregojnë qeverive se ku po gabojnë dhe të mos i lejojnë që të shkojnë në drejtimin e gabuar.

“Dikur bënim zgjedhje çdo 5 vjet, por tashmë mund t’i zhvillojmë çdo pesë minuta përmes rrjeteve sociale”, shtoi ai.
 
Pas takimit në selinë e Facebook-ut, Modi mori pjesë në një eveniment publik në një stadium në San Hose, ku veç mbështetësve të shumtë, pati edhe protestues. Këta të fundit protesuan kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut në Indi, për të cilat akuzojnë kryeministrin Modi se nuk ka bërë asgjë.

65-vjeçari Modi është një përdorues i rregullt i Facebook-ut dhe Twitter-it, të cilat i përdor për të komunikuar me miliona ndjekësit e tij.

Top Channel