Rama: Shqipëria, vend pararojë në pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje

28/09/2015 11:30

Kryeministri Edi Rama, nga samiti “Global Leader Woman” në Nju Jork, i iniciuar nga presidenti kinez Xi Jinping, tha se “jemi shumë krenarë që jemi një vend pararojë në Europë, duke dhënë shembullin, duke pasur 50% gra dhe 50% burra në çdo këshill bashkiak”.

“Një nga arritjet tona më të prekshme është rritja e përfaqësisë së grave në vendimmarrjet politike dhe publike. Aktualisht, përfaqësimi i grave në Parlamentin e sotëm shqiptar ka arritur në 21%, kurse në kabinetin që unë drejtoj gratë ministre janë 7 nga 19. Në zgjedhjet e fundit vendore, ne shkuam më tej dhe bëmë një hap gjigand përpara duke imponuar kuota për të gjithë këshillat bashkiakë. Tani, jemi shumë krenarë që jemi një vend që udhëheqim përmes shembullit në Europë, duke pasur 50% gra dhe 50% burra në çdo këshill bashkiak”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka marrë angazhime të rëndësishme ligjore, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar barazinë gjinore: “Unë do them shkurtimisht vetëm tre aspekte të sfidave me të cilat shoqëria shqiptare po përballet. E para, fuqizimi ekonomik i grave, duke rritur dhe përmirësuar aksesin në kreditim, si edhe promovimi dhe zgjerimi i programeve të punësimit për gratë dhe vajzat.
E dyta, parandalimi dhe ulja e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, eliminimi i diskriminimit gjinor në arsim, shëndetësi, media, duke përforcuar mekanizmat ligjorë dhe institucionalë, si edhe përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit.
Dhe e treta, rritja e pjesëmarrjes së grave në organizmat politikë dhe vendimmarrës, si edhe përfaqësimi qendror dhe vendor i grave në pozicione manaxheriale dhe profesionale në të gjithë organizmat e administratës publike”.

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe një herë angazhimin e qeverisë shqiptare për të vazhduar për përmbushjen e Deklaratës së Pekinit, si edhe të Plan-Veprimit, si një udhërrëfyes gjithëpërfshirës në rrugën e arritjes së barazisë gjinore.

Top Channel