Në varfëri dhe të pastrehë, kryefamiljari kërkon ndihmë

28/09/2015 11:50

Të jetosh në një shtëpi ku varfëria dhe kushtet ekstreme të jetesës kanë arritur kulmin nuk është e vetmja padrejtësi e jetës ndaj familjes Nika në lagjen Gostil të qytetit të Kukësit.

Pesë vite më parë shtëpia ku jetojnë aktualisht është shkrumbuar nga flakët e zjarrit duke i lënë katër anëtarët e familjes në qiell të hapur dhe në gjendje të mjerueshme.

Rustem Nika, më i madhi i familjes, që jeton bashkë me dy motrat dhe nipin me aftësi të kufizuar mendore thotë se ka trokitur në dyert e institucioneve lokale, për rregullimin e shtëpisë.

“Më keq nuk e bën zoti më. Kur ka rënë shi, tek ne ka rënë. Është tmerr. Nuk kam ku të shkoj unë. Kurrkush s’ka marrë masa. Kam bërë kërkesë dhe askush nuk ka marrë masa, as kryetar bashkie, as prefekt, askush”, thotë Rustem Nika, banor i Kukësit.

Apelit për ndihmë i janë bashkuar edhe banorët e lagjes, të cilët thonë se kjo shtëpia e kësaj familje duhet rregulluar.

“Nuk ka shanse kush të jetojë në ato kushte, duhet të ndihmohen nga ana e bashkisë, nga ana e shtetit”, thotë një banor i lagjes.

“Të gjejnë një vend ku të rehabilitohen, të gjejnë një vend ku do të ketë kujdes nga ana e shtetit”, thotë një tjetër.

Ndihma ekonomike dhe mbledhja e shisheve dhe kanoçeve, të cilat më pas i shesin është e vetmja e ardhur për këtë familje.

Top Channel