Puset e naftës në Zvërnec, MEI: Kontrata parashikon rehabilitimin e zonës

28/09/2015 12:00

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka sqaruar aktivitetin e kërkimit të naftës në zonën e Zvërnecit. Sipas të dhënave zyrtare kompania San Leon Durrësi B. V është pajisur me leje ndërtimi për sheshin e dy puseve në këtë zonë, “Zvërnec Vvest-1” dhe “Zvërnec VVest-2”. Ky shesh thotë ministria ndodhet në një zonë ku janë kryer edhe shpime të mëparshme.

“Përzgjedhja e sheshit është bërë bazuar në parametra teknike dhe mjedisore në fazën e projektimit, duke siguruar zbutjen e impakteve të mundshme mjedisore e sociale. Sheshi i pusit të Zvërnecit ndodhet në një zonë në të cilën janë kryer shpime të mëparshme për shpimin e pusit Dajlani-1 në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, nga kompania INA NAFTAPLIN 2001, ku gjatë shpimit të pusit janë marrë masa të veçanta për të garantuar mos dëmtim të zonës dhe të biodiversitetit në të. Gjithashtu, në këtë zonë, në të shkuarën janë kryer edhe disa shpime të tjera të puseve Zverneci-3, Zverneci-2 nga ana e shoqerise Albpetrol Sh.A. etj”, njofton MEI.

Sipas kontratës së firmosur, San Leon Durrës B. V pas periudhës së testimit të puseve është i detyruar të rehabilitojë dhe të kthejë ambientin në gjendjen e mëparshme, duke hequr të gjithë strukturat e shpimit, strukturat ndërtimore dhe duke e kthyer këtë sipërfaqe sërish në kullotë.

“Në rastin e një suksesi në zbulimin e rezervave komerciale, vlerësimi dhe shfrytëzimi i strukturave të Zvërnecit do të bëhen nëpërmjet operacioneve hidrokarbure në det dhe jo nga toka–bazuar në praktikën më të mirë botërore që përdoret gjatë shfrytëzimit të vendburimeve të naftës apo të gazit të ndodhura në zonën detare”, sqaron ministria.

Në rastin konkret, nga përllogaritjet dhe preventivat përkatëse rezulton se shpimi në tokë i këtyre dy puseve nga San Leon Durrësi B.V pritet të kushtojë 15 milion USD. Nëse do të shpoheshin këto dy puse me bazë në det, kostoja e rekuperueshme do të arrinte në rreth 85 milion USD. Gjithashtu rrezikshmëria e procesit të shpimit të një pusi kërkimor është më e ulët kur ky pus shpohet në tokë sesa kur ky pus shpohet në det, pasi dhe menaxhimi i avarive është më i lehtë në tokë.

Dy ditë më parë përfaqësues të Partisë Demokratike u takuan me banorë të zonës, ku shprehen kundër këtij projekti. Ata pretendojnë se këto puse do të sjellin mjaft dëme për zonën.

Top Channel