Marrëveshja Shqipëri-CEZ, ndërmjetësi: Ishte e mirë dhe nevojshme për vendin

28/09/2015 13:00

Kreu i Sekretariatit të Energjisë, që ka ndërmjetësuar negociatat mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke CEZ, Janez Kopac deklaroi se marrëveshja ishte e nevojshme për të zgjidhur një konflikt që do të mbante peng reformat dhe investimet në vend.

“Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ishte shumë i lumtur që kjo çështje u zgjidh, sepse vendi ishte peng i kësaj mosmarrëveshjeje të pazgjidhur dhe jo vetëm reformat, por çdo investim potencial i huaj do të priste zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Procedurat e arbitrazhit zakonisht zgjasin 10 vjet, pra i gjithë vendi do të mbetej peng për 10 vjet”, tha Kopac.

Zoti Kopac shkoi edhe më tej kur theksoi se në rast të mos nënshkrimit të marrëveshjes, Shqipëria kërcënohej nga vetoja çeke për statusin e vendit kandidat në BE.

“Dy orë pas nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën time, Republika Çeke vendosi të heqë veton”, tha Kopac.

Por deputeti demokrat Genc Ruli reagoi duke thënë se vetoja çeke u përdor si argument për të nënshkruar një marrëveshje, që siç u shpreh ai, nuk u bë nën simbolin e kurajos por inferioritetit të palës shqiptare.

“Nuk kemi pasur asnjë njoftim zyrtar se Çekia do vendoste veton. Dhe aspekti tjetër që riktheu diskutimin është se shkel parimet konstitucionaliste. Nuk ka marrëveshje që të parashikojë përjashtim të përgjegjësisë apo procedimit penal të ish-zyrtarëve apo personave që mund të kenë ndikuar në nënshkrimin e keq të marrëveshjes”, deklaroi Ruli.

Pyetja e Top Channel drejtuar kreut të Sekretariatit të Energjisë, nëse marrëveshja pengon apo jo procedimin penal të ish-titullarëve të CEZ shkaktoi konfuzion në komision.

“E vë edhe atë në pozitë me këtë pyetje, është publike”, tha Ruli duke iu referuar kreut të sekretariatit.

“Kjo marrëveshje është publike, nuk kam asgjë tjetër për të thënë”, replikoi ky i fundit.

Një ditë më parë, Avokatura e Shtetit, por më herët edhe prokuroria deklaruan se në asnjë nen të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim nuk jepet garanci për mosfillimin e procedimeve penale, e aq më pak për falje apo heqje dorë nga asnjë e drejtë e shtetit shqiptar, për kryerjen e hetimeve për veprat penale që mund të rezultojnë se janë kryer nga ndonjë prej anëtarëve të grupit CEZ. 

Top Channel