Bizneset shpërdoruan të dhënat personale, 10 milionë lekë gjoba

28/09/2015 13:30

Shpërdorimi apo keqpërdorimi i të dhënave personale vijon të mbetet problem për Shqipërinë. Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale ka gjobitur mbi 40 institucione publike dhe private gjatë këtij viti nga 90 të tilla që jane evidentuar me shkelje.

“Këto të dhënat personale duhen administruar në mënyrë të tillë sipas përcaktimeve që ka ligji. Në raste shpërdorimesh të tyre, të cilat ose konstatohen nga komisioneri nëpërmjet ankesave, apo kontrolleve kryesisht që ushtrojmë ne, atëherë aplikohet procedura që ju thashë deri në vendosjen e sanksionit”, tha Besnik Dervishi, komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale.

Gjobat variojnë nga 20 mijë deri në 2 milion lekë të reja, në fusha nga më të ndryshmet.

“Duke filluar nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, minsitrisë, drejtoritë e përgjithshme e të gjitha agjencitë, ku administrohen dosje të kthimit të pronave, të legalizimeve, apo veprimtari të tjera të noterit, të zyrave përmbarimore.

Ministrja e Inovacionit Milena Harito kërkoi më shumë vëmendje nga institucionet publike, pas dixhitalizimit të shërbimeve.

“Kemi shumë nevojë për këtë gjë, sepse ky zhvillim i vrullshëm i shërbimeve online, nuk mund të adoptohet masivisht nga qytetarët veçse në rastin kur ne do të japim garanci të plota që këto shërbime janë të mirëkontrolluara dhe të sigurta”, tha Harito.

Për herë të parë në Shqipëri u mbajt takimi i 27 i punës së rasteve të veçanta, me pjesëmarrjen e mbi 25 autoriteteve homologe të mbrojtjes së të dhënave personale, anëtare të Konferencës Europiane. Tryeza në fjalë, do të trajtojë për dy ditët në vazhdim praktikat më të mira të mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë.

Top Channel