Qendra të reja për riatdhesimin e azilkërkuesve

28/09/2015 14:55

Kur Kleart Hasani dhe 173 persona të tjerë u mblodhën me autobusë nga qendrat e azilit nëpër Bavari, të parët e gati 1.500 emigrantëve të dërguar në kazermat e rinovuara ushtarake në Bamberg, gëzimi ishte i madh: i prisnin banesa të lyera rishtazi, lëndina të vogla të gjelbra përpara tyre, një kend modern lojrash e madje edhe një fushë basketbolli.

Të paktë ishin ata, thotë New York Times, që i hodhën sytë tabelës në hyrje ku shkruhej në gjermanisht: “Streha e mbërritjes dhe riatdhesimit”. A mos po ndërtojnë ndonjë shkollë për fëmijët tanë? Ishte pyetja e një 22-vjeçareje të quajtur Mirela, që thotë për gazetën prestigjoze se është nga Kosova e në Gjermani ka shkuar bashkë me të bijën dhe të shoqin konstruktor.

Nga dreka e ditës së dytë të qëndrimit, lajmi nisi të përhapej. Kleartit nga Shqipëria i ishte mohuar azili dhe shumë shpejt do të merrte avionin për në shtëpi. Aplikimi i studentit 20-vjeçar ishte ndër të parët që u shqyrtuan dhe vendimi nuk hëngri kohë. U deshën veçse pak orë për të ndërprerë një odise të zgjatur me muaj të tërë.

Mesazhi ishte i qartë dhe për të tjerët që nuk e patën kuptuar dërgimin në qytetin e bukur mesjetar; këtu, vazhdon artikulli, në një ish-bazë të ushtrisë amerikane në veri të Bavarisë, merr fund shpresa për ata që nuk kanë udhëtuar drejt Gjermanisë për të shpëtuar jetët, por për të gjetur një jetë më të mirë.

“Ky është vendi ku ne grupojmë azilkërkuesit që nuk kanë asnjë mundësi për sukses”, sqaron drejtuesi i qendrës, Jakob Daubner, duke iu referuar kështu strehës së dytë të këtij lloji të hapur në landin më të madh të Gjermanisë brenda muajit.

Po me aq efikasitet sa ç’është duke ngritur infrastrukturën e pritjes se mijëra refugjatëve të larguar nga zonat e konfliktit, ekonomia më e fuqishme e Europës është duke instaluar paralelisht një sistem njësoj funksional kthimi për të ardhurit nga vende të varfra, por të sigurta. Rreth 10.000 vetë janë kthyer mbrapsht në periudhën janar-korrik dhe ritmi i riatdhesimeve sa vjen e përshpejtohet.

Top Channel