Ndryshimet në ligjin e barnave, debate në komisionin e shëndetësisë

28/09/2015 15:00

Ka ngjallur debate në komisionin e shëndetësisë propozimi i qeverisë për ndryshimin në ligjin e barnave, të nenit që përcakton se barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit mund të tregëtohen në Shqipëri pa qënë e nevojshme të qarkullojnë të paktën në një vend të BE, ashtu siç ishte e përcaktuar në ligjin e vitit 2014.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka shpjeguar se ky ndryshim bëhet për të respektuar marrëveshjen CEFTA të tregëtise së lirë ndërmjet vendeve të Ballkanit.

“Kërkohet që të zbatohet në mënyrë të plotë marëveshja CEFTA. është vlerësuar se ky lloj kufizimi që kemi sot, që të jetë në një vend të BE-së, hyjnë në grupin e atyre që quhen barriera jo tarifore. Qeveria, sipërmarrje të ndryshme janë vënë dhe në rrezikun potencial që vendet që preken nga kjo dispozitë, mund të fillojnë të zbatojnë reciprocitet, jo vetëm në fushën e barnave, po në të gjithë fushat e tjera”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Por deputetët e PD kanë argumentuar se ky ndryshim cënon sigurinë  e barnave që hyjnë në Shqipëri .

“A jemi ne të sigurtë që barnat që qarkullojnë në Shqipëri dhe që nuk janë certifikuar në BE janë cilësore?”, tha Albana Vokshi, deputete e PD.

Ministri Beqaj ka shpjeguar se Agjencia e Kontrollit të Barnave do të bëjë analizat por ndërkohë që këto analiza mund të kryhen edhe jashtë vendit, madje me Kroacinë ka një marrëveshje për këtë qëllim.

“Janë rreth 200 barna nga këto vende të Ballkanit që kanë qarkulluar në Shqipëri deri në mars 2015, kur mbaroi periudha tranzitore 6-mujore e këtij ligji të ri, dhe që nuk qarkullojnë më sot. Po flas për barna të Ballkanit që kanë qarkulluar masivisht në Shqipëri. Procedura e regjistrimit fillimisht është procedurë formale, me dokumentacion, sepse kështu bëhet, në momentin e importimit real, praktikat e lejojnë që Agjencia e Barnave të marrë një kampion dhe të kërkojë analizën e tyre. Nuk pengohemi që të bëjmë analiza jashtë”, vijoi Beqaj.

Deputetët e PD-së i kanë kërkuar ministrit të Shëndetësisë  të paraqesë në komision një raport mbi kontrollin e barnave që hyjnë në Shqipëri .

Top Channel