Të zhdukurit me forcë, Totozani: Shqipëria të raportojë në komitetin e OKB-së

28/09/2015 15:25

Avokati i Popullit Igli Totozani në një letër rekomandim dërguar Ministrisë së Jashtme kërkon që ajo të raportojë pranë Komitetit të Zhdukjeve me Forcë të OKB-së, në përmbushje dhe të Konventës së këtij organi.

Sipas një dokumenti të Komitetit Ndërkombëtar Koordinues të Institucioneve të të Drejtave të Njeriut, mbërritur në zyrën e Avokatit të Popullit, qeveria shqiptare duhej të kishte raportuar deri më 8 nëntor të 2012 në Komitetin e Zhdukjeve me Forcë.

Madje, në ndryshimet në Kodin Penal, “zhdukja me forcë” është përfshirë edhe si vepër penale. Për këtë z. Totozani kërkon marrjen e masave të nevojshme për njohjen dhe promovimin sa më të shpejtë të kësaj Konvente, si dhe e detyrimeve që kanë punonjësit e administratës shtetërore dhe e të drejtave që kanë subjektet e zhdukjes me forcë. Ky detyrim për raportim është miratuar edhe më anë të një ligji në Kuvend, dhe për Avokatin e Popullit kuadri ligjor është i plotë aktualisht.

“Ndërkohë konstatojmë se, nga institucionet shtetërore nuk është bërë sa duhet për njohjen dhe promovimin e kësaj Konvente, si dhe e detyrimeve që kanë punonjësit e administratës shtetërore dhe e të drejtave që kanë subjektet e zhdukjes me forcë. Ky qëndrim përbën mospërmbushje të detyrimeve të marra përsipër nga vendi ynë, si shtet palë i kësaj Konvente”, thuhet në rekomandimin e z. Totozani.

Top Channel