Hetimi i huaj i CEZ-it; “shteti dorëzohet”

28/09/2015 00:00

Projektligji i Partisë Demokratike që i hap rrugën hetimit ndërkombetar të aferës “CEZ” është i pari i këtij lloji që është dorëzuar ndonjëherë në Kuvendin e Shqipërisë.

Drafti i opozitës nuk ka shumë nene, por ai bën të qartë se çështja “CEZ” duhet të hetohet nga prokurorë ndërkombtare të vendeve të Bashkimit Europian ose të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Drafti ngarkon Prokurorin e Përgjithshëm të veprojë për çdo marrëveshje dhe lehtësi tjetër që mund t’u duhet prokurorëve të huaj, ruan sekretin hetimor në mënyrë që ai të mos ndikohet nga pushtetarët, meqë siç thotë opozita, hetimi i kësaj çështjeje do të përfshijë njerëzit më të rëndësishëm politikë në vend.

Lulzim Basha thotë se kjo është mënyra e vetme e besueshme për një hetim të plotë dhe të pavarur të aferës “CEZ”. Ai e tha këtë pas takimit prej një ore me Ambasadorin Amerikan, por nuk pranoi të tregojë qëndrimin e partnerëve, nëse kjo nismë mbështetet apo jo prej tyre.

“Të votojmë ligjin, t’i hapim dritën jeshile prokurorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë për hetimin e aferës korruptive më të madhe në këtë vend”, tha Basha.

Lulzim Basha e pret mbështetjen për hetimin ndërkombëtar nga tjetërkund dhe duket se ky projektligj po përdoret për të vënë në një provë konkrete Ilir Metën.

“Dua të përshëndes gatishmërinë e kryeparlamentarit për ta mbështetur këtë nismë ligjore në Parlament dhe t’i kërkoj që këtë mbështetje me fjalë ta kthejë në një veprime konkrete duke thërritur Konferencën e Kryetarëve, duke futur ligjin që sapo kemi depozituar për shqyrtim këtë të enjte në Parlament”, tha Basha.

Ligji kërkon 84 vota dhe kjo shumicë nuk arrihet pa Partine Socialiste. I pyetur përse ia drejton ftesën vetëm Metës dhe jo Ramës, Lulzim Basha, nuk ishte përjashtues për cilindo deputet, por sërish fokusin e mbajti tek kreu i LSI-së, veçanërisht për t’i treguar se opozitën më të fortë e ka në krah politikisht dhe ai quhet Edi Rama.

“Unë e kam kërkuar dhe kërkoj dorëheqjen e Ilir Metës për akuzat që janë bërë në kohën kur ishte zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm si personi që ka lobuar dhe qëndron pas kompanisë DIA dhe marrjes së 135 milionë euro të shqiptarëve nga kjo kompani. Këto janë akuza që nuk i kam bërë unë publike, por i kanë bërë publike avokatët e Qeverisë, avokatët e ortakut të tij, të cilin nuk ka pse e kërkon prapa pemëve në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, sepse e ka në krahë. E ka poshtë kur është në Parlament dhe e ka në krah politikisht që prej marrëveshjes së 1 prillit”, tha Basha.

Besohet se kjo çështje, bashkë me atë të dekrimnalizimit dhe të reformës në drejtësi, kanë qenë pjesë e diskutimeve me Ambasadorin Amerikan, i cili shoqërohej nga prokurori amerikan, që ndodhet në Shqipëri për të asistuar insitucionet në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Përpara se të niste takimin e gjatë me Lulzim Bashën, Ambasadori Lu është parë të hyjë edhe në Kryesinë e Kuvendit.

Top Channel ka mësuar se aty është zhvilluar një takim rreth 30 minuta me ish-kryeministrin socialist, Pandeli Majko, por palët janë hermetike për çështjet e diskutuara.

Top Channel