Jahjaga takohet me mbretin e Jordanisë; merr pjesë edhe në “Nismën globale Clinton”

28/09/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua në Nju Jork me Mbretin Abdullah i II-të i Mbretërisë hashemite të Jordanisë.

Presidentja Jahjaga dhe Mbreti Abdullah biseduan për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në procesin e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën, në fushën e ekonomisë dhe atë të sigurisë, thuhet në një komunikatë të Presidencës.

Presidentja Jahjaga falënderoi Mbretin Abdullah për mbështetjen e vazhdueshme të Jordanisë në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, duke vlerësuar ndihmën e Jordanisë, si një ndër partneritetet më të rëndësishme të Kosovës në Lindjen e Mesme. Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e Jordanisë për të bashkërenduar me sukses procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO.

Në këtë takim, Presidentja Jahjaga theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e bashkërendimit të shteteve partnere në përgjigjen e përbashkët ndaj kërcënimeve ekstremiste. Presidentja vlerësoi se, shtetet duhet të ndajnë përvojat dhe të bashkojnë përpjekjet për të adresuar këtë kërcënim global.

Mbreti Abdullah i II-të i Jordanisë vlerësoi lart marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ai theksoi se ndihma e Jordanisë për Kosovën do të vazhdojë dhe se, Jordania do të shtojë përpjekjet në politikën e jashtme për ta mbështetur Kosovën në procesin e njohjeve, por edhe në procesin e anëtarësimit në UNESCO, përmes shteteve me të cilat ka marrëdhënie të mira dypalëshe.

Jahjaga, në natën e ndarjes së çmimeve të “Nismës globale Clinton”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në natën e ndarjes së çmimeve të “Nismës globale Clinton”, ku ishin pjesëmarrës edhe një numër i madh udhëheqësish botërorë të sektorit publik dhe privat.

Presidentja Jahjaga është nderuar me çmimin për “lidership publik” të “Clinton Global Inititative” në vitin 2014.

Takimi i “Clinton Global Initiative” mbledh këtë vit shumë udhëheqës shtetesh dhe qindra udhëheqës ekzekutivë botëror, për të diskutuar sfidat globale dhe ndërtimin e partneriteteve për të bërë ndryshime pozitive sociale.

Top Channel