Kosovë, Veseli takohet me të dërguarin e Selisë së Shenjtë

28/09/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli zhvilloi takim me Juliusz Janusz, delegat apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës.

Sipas komunikatës për shtyp, në takim u bisedua për një mori çështjesh, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, të cilat kanë pasur gjithmonë vazhdimësi.

Duke evokuar historinë e tyre, kryetari Veseli theksoi se shqiptarët janë populli i vetëm në Ballkan, që kanë mbajtur gjallë krishtërimin katolik, edhe përkundër vështirësive të mëdha, dhe se në momente të vështira për popullin tonë, Selia e Shenjtë ka mbështetur Kosovën, sidomos në vitet ’90, nën drejtimin e Papa Gjon Palit të II-të.

Nga ana e tij, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Janusz theksoi se Selia e Shenjtë e njeh realitetin e ri në Kosovë dhe mbështet zhvillimet pozitive në vend.

Në këtë kontekst, ai shtoi se “ne i përcjellim zhvillimet në Kosovë, e cila ka një potencial të madh zhvillimi, me faktin se ka një popullatë të re”.

Në takim u bisedua edhe për çështjen e pranimit të Kosovës në UNESCO dhe, me këtë rast, kryetari Veseli kërkoi mbështetjen e Vatikanit për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm ndërkombëtar.

Delegati papal, nga ana e tij, u shpreh se Selia e Shenjtë ka mirëpritur letrën e përbashkët të bashkësive fetare të Kosovës, ku i kërkohet kësaj selie mbështetja për këtë anëtarësim.

Më tutje, ai shtoi se populli shqiptar ka një traditë të fuqishme të tolerancës, bashkëjetesës e bashkëpunimit mes besimeve fetare, e se mesazhi i kësaj tradite është i njëjtë me mesazhin qendror, që synon të përçojë sot në botë edhe vetë Kisha Katolike, nën drejtimin e Papa Françeskut.

Takimi i sotëm i kryetarit Veseli me delegatin papal është i pari i këtij niveli, që ka pasur Kuvendi i Kosovës me Selinë e Shenjtë.

Top Channel