Raporti i BB për Kosovën: Qeveria të krijojë disiplinë fiskale

28/09/2015 00:00

Banka Botërore ka prezantuar raportin ekonomik për Europën Juglindore, ndërsa te pjesa për Kosovën u theksua se, kriza politike e vitit 2014 ka ndikuar në shumë aspekte të zhvillimit ekonomik.

Udhëheqësit e Bankës Botërore në Kosovë prezantuan konstatimet e raportit për ekonominë e këtij vendi, duke i rekomanduar qeverisë të krijojë një disiplinë fiskale, e cila nuk ndryshon nga viti në vit dhe rrit besimin për investimet e huaja.

“Kriza politike kushtetuese gjatë vitit 2014, së bashku me ndikimin nga shpërthimi në termocentralin Kosova, në tetor 2014, kanë dobësuar edhe më shumë rritjen. Investimet private, vendase dhe ato të jashtme janë çelësi për përshpejtimin e rritjes së GDP-së”, tha Jan-Peter Olters, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë.

Për pasojat e krizës politike dhe ekonomike në Kosovë, foli edhe Agim Demukaj nga Banka Botërore.

“Rritja ekonomike, e cila vitin e kaluar ka qenë vetëm 1 për qind në bazë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, apo 3 për qind sa pritet prej projeksioneve tona për sivjet, është një rritje ekonomike e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë dhe varfërisë. Dhe, nëse e shikojmë lidhjen mes papunësisë, varfërisë dhe rritjes ekonomike, është shumë e qartë atëherë se, eksodi që ka ndodhur vitin e kaluar është si rrjedhojë e një situate ekonomike, e cila thjesht nuk ka krijuar perspektivë për një numër të caktuar njerëzish”, tha Agim Demukaj, ekonomist i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë.

Duke folur për të ardhurat dhe zhvillimin, Demukaj tha se këtë vit, deri në muajin qershor, remitancat nga diaspora kanë pasur një rritje të theksuar prej 18 për qind. Si pozitive, ai përmendi gjithashtu edhe eksportet e mallrave, të cilat janë rritur deri në qershor me 12 për qind, si dhe rritjen e investimeve të huaja për 5.8 për qind.

“Ajo çfarë është me rëndësi kur flasim për to, është se pjesa më e madhe vijnë prej bashkësisë europiane, që përbën një ndryshim të trendit. Nëse shikojmë vitet paraprake, Bashkimi Europian, për shkak të rrethanave ekonomike në BE, rritjes së vogël ekonomike, por edhe për shkak të mos interesimit për të ardhur në Kosovë, kishte shumë tërheqje. Ndërsa trendi i ri është pozitiv në këtë rast”, tha Agim Demukaj.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore thanë se, Kosova duhet të ketë rritje prej mbi 8 për qind për disa vite me radhë, për të pasur ekonomi të zhvilluar që përmbush nevojat e qytetarëve.

Top Channel