Maqedoni, prokurorja speciale të hetojë rastet e montuara kundër shqiptarëve

28/09/2015 00:00

Ministri i Drejtësisë në Maqedoni, Adnan Jashari pret nga prokurorja speciale, Katica Janeva, që të hapë hetime të reja për rastin “Sopoti”, në të cilin 11 shqiptarë nga fshati Sopot i Kumanovës u dënuan me një shekull e gjysmë burgim, për shkak të shpërthimit të një mine në vitin 2003, për pasojë të së cilës humbën jetën dy ushtarë polakë të NATO-s.

Sipas ministrit të Drejtësisë, ligji për Prokurorinë Speciale e detyron zonjën Janeva, që të zbardhë të vërtetën lidhur me këtë rast kontrovers, pasi disa muaj më parë opozita maqedonase, në kuadër të skandalit të përgjimeve publikoi detaje të reja, që hedhin dyshime të forta mbi vendimin gjyqësor për rastin “Sopoti”.

“Në bazë të informacioneve, që kam dëgjuar dhe që janë publikuar nga opozita, e di se rasti ‘Sopoti’ duhet të jetë medoemos në kompetencë të prokurores speciale”, tha Adnan Jashari, ministër i Drejtësisë në Maqedoni.

Sa i përket rastit gjyqësor “Monstra”, ku 6 shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm, pasi u fajësuan se kanë vrarë 5 të rinj maqedonas, Jashari tha se rishqyrtimi i tij varet nga kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili duhet t’i dorëzojë në Prokurori materialet e përgjuara, që posedon lidhur me këtë rast.

“Për Rasti ‘Monstra’, siç e dini edhe ju, kreu i opozitës, edhe përkundër faktit se premtoi që do t’i publikonte informacionet, nuk e bëri diçka të tillë. Se çfarë informacionesh ka ai, lidhur me këtë rast, unë nuk e di. Këtë duhet ta hetojë dhe analizojë prokurorja, ashtu sikurse rastin e Kumanovës. Edhe për këtë rast, nëse ka informacione, ajo do të duhet të nisë procedurë penale për këto raste”, tha më tej Adnan Jashari.

Prokurorja speciale Katica Janeva, javën e kaluar paralajmëroi se, brenda një muaji do të krijojë stafin e saj, me të cilin do të nisë punën për hetimin e skandalit të përgjimeve.

Top Channel