Obama mban fjalimin në OKB: S’mund t’i zgjidhim të vetëm problemet

28/09/2015 17:15

Presidenti amerikan Barack Obama ka mbajtur fjalimin e shumëpritur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Mesazhi parësor i zotit Obama ka qenë se, “Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i zgjidhin të vetme problemet e botës”.

Obama ka kujtuar se, pas Luftës së  Dytë Botërore, Kombet e Bashkuara kanë punuar me vendin e tij për të parandaluar një luftë të tretë.

“Por, rryma të rrezikshme rrezikojnë të na shtyjnë drejt errësirës. Ka pasur progres, por punët nuk kanë mbaruar. Udhëheq forcat e armatosura më të mëdha në botë dhe nuk do të hezitoj kurrë për të mbrojtur vendin tim dhe aleatët”, ka thënë Obama.

Por këtë, ka nënvizuar ai, Amerika nuk mund ta bëjë e vetme, “pasi ka fuqi ndërkombëtare që veprojnë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.

“Është dikush që na thotë se duhet të mbështesim tiranë si Assad, sepse alternativa tjetër është shumë më e keqe”, ka thënë Obama.

Ai ka prekur edhe çështje të tjera duke thënë se, askush nuk mund të izolohet nga fluksi i refugjatëve, apo nga rreziqet që vijnë nga ndryshimet e klimës.

“Nuk mund të rrijmë e të shohim kur sovraniteti i një vendi shkelet. Kjo është baza e sanksioneve që Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur Rusisë. Por ne nuk duam t’i rikthehemi luftës së ftohtë. Nuk duam ta izolojmë Rusinë, duam një Rusi të fortë që të bashkëpunojë me ne për të përforcuar rendin ndërkombëtar”, ka thënë më tej Obama.

Presidenti amerikan ka vlerësuar se, rasti i Ukrainës nuk mund të anashkalohet. “Sot është Ukraina, por nesër mund të jetë një vend tjetër”, është shprehur Obama.

Sa për çështjen bërthamore iraniane, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se, ajo do të shmangë një luftë dhe ka shtuar se, diplomacia, pavarësisht se është e vështirë dhe ndonjëherë nuk sjell rezultatet e pritura, është një opsion që duhet provuar. 

Top Channel