Një sanduiç për nder të Papa Françeskut

28/09/2015 00:00

Vizita e Papa Françeskut në Nju Jork, javën e kaluar, bëri të famshëm një shqiptar, i cili prej shumë vitesh jeton në State Island.

Leonard Balaj, ose siç e thërrasin të gjithë Leo, mendoi diçka të veçantë për të nderuar figurën e Atit të Shenjtë. Ai përgatiti një sanduiç në lokalin e tij “Leo’s Sandwich Shop”, duke e pagëzuar me emrin “Papa Françesku”.

Fillimisht, klientët kanë mbetur të habitur, por më pas të gjithë kanë porositur sanduiçin në nder të Papës, duke thënë se ishte vërtet i shijshëm.

Vetëm për 5 dollarë, ata mund të provonin bukën me djathë dhe proshutë në West Brighton.

Synimi i pronarit gjithsesi është diku tjetër. Ai ka ndërmend që, të gjitha fitimet e dy ditëve t’ia dhurojë nismës “Project Hospitality”.

Leonardi tha se zgjodhi këtë nismë humanitare për t’iu gjendur më pranë të pastrehëve dhe të pafatëve.

Edhe pse Papa nuk pati mundësi ta provonte sanduiçin me emrin e tij, mediat e pasqyruan gjestin, si një veprim i mirë i një shqiptari me zemër të madhe.

Top Channel