Gjermani, prokurorët nisin hetimet mbi Volkswagen

28/09/2015 18:30

Prokurorët gjermanë kanë nisur një hetim ndaj ish-drejtorit ekzekutiv të Volkswagen, Martin Winterkom.

“Hetimi do të fokusohet tek dyshimet për shkelje në procedurat e shitjes së makinave me të dhëna të manipuluara mbi çlirimin e gazrave”, thuhet në një njoftim të zyrës së prokurorit gjerman, të cilit i referohet BBC.

Winterkom dha dorëheqjen javën e kaluar pas pothuajse 9 vjet në drejtimin e VW, duke thënë se nuk kishte dijeni për manipulimin e të dhënave.

Ishin entet rregullatore në Shtetet e Bashkuara që kishin gjetur “mashtrimin” në programimin e disa prej motorëve me dizel.

Në sistemin ligjor gjerman, kushdo mund të ngrejë një padi penale tek prokurori, i cili është i detyruar ta ekzaminojë atë dhe të vendosë nëse ka prova të mjaftueshme për të hapur një hetim formal.

Në këtë rast, pas konstatimeve të autoriteteve amerikane për testet e manipuluara, prokurorët në lokalitetin Braunshvajg, në afërsi të selisë së VW në Uolfsburg, morën disa dhjetëra ankesa, përfshirë një nga vetë Volkswagen.

Gjatë fundjavës që lamë pas, mediat gjermane raportuan se shumë anëtarë të stafit të VW dhe madje një prej furnizuesve kishin paralajmëruar vite më parë për përdorimin ilegal të të ashtuquajturve “aparate defektoze”.

Po javën e kaluar, drejtori i divizionit të Porsche pranë VW, Matthias Mueller u caktua si pasardhës i Winterkorn.

Top Channel