Hëna e përgjakur, vetëm një mit?

28/09/2015 00:00

Një superhënë e kuqe është shfaqur mbrëmë në qiell, përreth gjithë rruzullit. Ndriçimi i veçantë u shkaktua nga zhvillimi i eklipsit të plotë hënor, një fenomen që e ngjyrosi hënën në të kuqe.

Ngjarja e rrallë qiellore përkon edhe me fenomenin e superhënës, e cila mbrëmë ka orbituar në pikën më të afërt me Tokën. Hera e fundit kur një eklips hënor ka përkuar me superhënën ka qenë në vitin 1982 dhe hera e ardhshme do të jetë në 2033-shin.

Eklipsi i superhënës së kuqe, mbylli një seri të jashtëzakonshme eklipsesh hënore, të cilat u quajtën “tetradë”. Brenda pak muajve u zhvilluan 4 të tillë. I pari ndodhi më 15 tetor të 2014-s, i dyti më 8 tetor të 2014-s, i treti u shënua më 4 prill 2015 dhe i fundit, i cili përmbylli edhe tetradën, ndodhi mbrëmë.

Tetrada nuk është një fenomen shumë i rrallë. Në shekullin e XXI-të do të ketë 9 grupe tetradash. Por gjëja më e veçantë rreth tetradës së viteve 2014-2015 është se, të gjithë eklipset e tij do të jenë të dukshëm për pjesën më të madhe të botës.

Eklipsi i plotë është i njohur jo shkencërisht si “hëna e gjakut”, sepse gjatë zhvillimit të fenomenit, sateliti skuqet nga unaza e Tokës, e cila bllokon dritën e diellit duke përthyer rrezet mbi Hënë.

Shumë grupe besimi dhe njerëz të dhënë pas profecive janë të bindur se, spektakli i kësaj tetrade, ku veçanërisht mbrëmë është finalizuar me një pamje të rrallë, është shenjë paralajmëruese e qiellit për fundin e botës.

Një vit më parë, pastori John Hagee në Amerikë deklaroi se kjo tetradë do të përkonte me një ngjarje të madhe për hebrenjtë. Sipas tij, kjo ngjarje kozmike ka ndodhur vetëm tri herë në më shumë se 500 vite. Në vitin 1492, 1948 dhe 1967 dhe në secilin rast ajo përkoi me diçka shumë dramatike, që përfshinte popullin hebre.

“Në vitin 1492, çifutët u dëbuan nga Spanja. Ngjarje që u pasua thuajse menjëherë nga zbulimi i Amerikës, një vend që do të bëhej një fener i shpresës për popullin hebre”.

“Në vitin 1948, pas 7 viteve të ferrit të Holokaustit, u krijua shteti i Izraelit”.

“Në vitin 1967 u deshën 6 ditë luftë midis arabëve dhe izraelitëve, që të ribashkohej qyteti i Jeruzalemit”.

Ndaj, Hagee argumentonte se tema, edhe në këtë tetradë të fundit, ishte e njëjtë: një tragjedi, e cila do të pasohej me triumf për popullin hebre.

Top Channel