Restaurimi i urës së Zvërnecit, bashkia e Vlorës zgjedh kompaninë

28/09/2015 00:00

Ura që lidh tokën ishullin e Zvërnecit dhe që dikur shërbente për të bërë të vizitueshme zonën e manastrit nga turistët, nuk ekziston më.

Prej muajit shkurt të këtij viti, ajo është shembur dhe nuk ka parë asnjë ndërhyrje. Për shkak të vërshimit të ujërave, 50 metra të saj janë shkatërruar.

Kjo situatë për muaj të tërë është shfrytëzuar nga banorë të zonës, të cilët kanë nxjerrë fitime duke shërbyer me varkat e tyre për transport ujor për turistët.

Por rrezikshmëria e lëvizjes e uli shumë frekuentimin e zonës. Kryebashkiaku i ri i Vlorës, që ka në juridiksion edhe këtë urë, tha se situata do të zgjidhet.

“Bashkia ka siguruar fondet për rehabilitimin. Sot është hedhur tenderi në faqen publike dhe presim që të interesuarit të vijnë të konkurrojnë dhe të vijnë për rindërtimin e kësaj ure, që është krenari e qytetit dhe historike”, deklaroi Dritan Leli.

Kjo urë, me një gjatësi prej 286 metra, është ndërtuar në vitin 1996. Ajo ka mundësuar vizitat në manastirin e Shën Mërisë që ndodhet në ishull.

Top Channel