Krerët e Kosovës në Nju Jork, takime për UNESCO-n dhe jo vetëm

28/09/2015 00:00

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO duket se është tema kryesore e udhëheqësve kosovarë në Nju Jork, në takimet dypalëshe me krerë të shteteve të ndryshme të botës.

Presidenca e Kosovës njoftoi se, Presidentja Atifete Jahjaga ka marrë mbështetjen e Libisë dhe Jordanisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Mbreti Abdullah i II-të i Jordanisë vlerësoi lart marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ai theksoi se ndihma e Jordanisë për Kosovën do të vazhdojë dhe se, Jordania do të shtojë përpjekjet në politikën e jashtme për ta mbështetur Kosovën në procesin e njohjeve, por edhe në procesin e anëtarësimit në UNESCO, përmes shteteve me të cilat ka marrëdhënie të mira dypalëshe”.

Kryeministri Mustafa, ndërkaq, i shoqëruar edhe nga ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ai i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, ka takuar në Nju Jork Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, nga i cili mori përkrahje për rrugën e integrimit.

Siç thuhet në komunikatën për media, Mustafa ka theksuar se, Kosova i ka përmbushur kriteret për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për liberalizimin e vizave.

Në Nju Jork, shefi i ekzekutivit kosovar takoi edhe kryeministrin e Turqisë, Ahmet Davutoglu. Temë diskutimi, përveç të tjerash, ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Sipas qeverisë së Kosovës, kryeministri turk shprehu përkrahje të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, si dhe në hapat e tjerë që lidhen me fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Top Channel