Çuditë 100% shqiptare

28/09/2015 00:00

Askujt të mos i duket e çuditshme, por banorët e fshatit Shkopet, në shekullin e XXI-të kanë vetëm një mënyrë për t’u lidhur me njëri-tjetrin. Dikur kanë pasur një urë, ndërsa sot kanë vetëm një varkë të improvizuar. Një varkë, me të cilën ata duhet të komunikojnë çdo ditë. Fëmijë, gra, të moshuar…duke luajtur mes jetës e vdekjes.

Nëse dikujt Tirana mund t’i duket larg, edhe pse është jo më shumë se 60 minuta, apo qyteti i Laçit rreth 17 kilometra e Miloti vetëm 12 km, mjafton të përmendësh faktin se rruga nacionale e pret në mes Shkopetin. Pra, ky realitet nuk ndodhet zonave të thella e të humbura, që mund të shërbenin si justifikim, por aty tej, ku kalojnë të gjitha makinat, qoftë edhe ato të zyrtarëve të lartë.

“Frikë kemi, jo vetëm në dimër, por edhe në verë. Sepse kur lëshohen turbinat me forcë të plotë, edhe në verë, e përlajnë varkën dhe njerëzit i çon poshtë”, thotë Pashk Përgjoka, banor.

Problemi me urën në Shkopet ka kohë që vazhdon. Ka mbi 5 vite, që banorët e tij duhet të mendojnë si të hidhen në krahun tjetër. Me shpenzimet e tyre, ata e riparuan njëherë në vitin 2009, por vetëm një vit më pas, prurjet e mëdha të ujit e morën bashkë me gjithçka kishte, përfshirë edhe kavot e hekurta, mbi të cilat ajo mbështetej.

Që nga ajo kohë, askush nuk është kujtuar më për banorët e Shkopetit. Nga ana e tyre, ata e kanë të pamundur ta rregullojnë sërish. Kjo, si pasojë e shpenzimeve të shumta, që kërkojnë kavot dhe pjesa tjetër e strukturës. Tashmë, Shkopeti me rreth 70 familje, thuajse 30 për qind të banorëve i ka në krahun tjetër, të izoluar nga lumi Mat dhe me të vetmen mundësi për të kaluar një varkë, nëse mund të quhet e tillë.

Shtëpitë duken të fshehura mes gjelbërimit dhe maleve, që i japin një bukuri të rrallë. Të kalosh tej është si të hidhesh në një botë tjetër. Thuajse të gjithë të moshuarit, që jetojnë në këtë anë, kanë mbi 5 vite të izoluar. Ata nuk hipin në varkë, kjo sepse, nëse do të binin në lumë, do ta kishin të pamundur të shpëtonin. Thellësia e tij në këtë periudhë shkon rreth 6 metra, ndërsa në dimër mbi 10 m, pa llogaritur sigurisht forcën e rrjedhës, që ndryshon në varësi të motit.

“Këtu është shumë e vështirë. Dimrit është e pamundur të dalësh. Verës ia bëjmë si ia bëjmë, sepse ka pak ujë. Ndërsa dimrit është e pamundur. Disa nuk mund të dalin fare, kanë frikë dhe rrinë në shtëpi”, thotë Emikled Malci, djali që drejton varkën.

Gjithçka bëhet edhe më e vështirë, më e rendë, nëse kanë një të sëmurë, apo më keq, një mort. E raste të tilla nuk kanë munguar.

“Mua më ka vdekur xhaxhai dhe kam bërë varrimin në shtëpinë e tjetërkujt, jo në shtëpinë e tij”, thotë Zef Zefi.

“Kemi pasur faktikisht një rast me një të sëmurë. Arritëm ta nxirrnim te shtëpitë andej matanë, por edhe ai, për fat të keq vdiq. Ia kemi bërë mortin matanë”, thotë Mark Deda.

Herët, Shkopeti ka pasur mjaft aktivitet, që ofronte edhe punësim. Jo thjesht për banorët e zonës, por edhe për të tjerë të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Kjo, sepse veç hidrocentralit, ishin edhe guroret, mirëmbajtja, miniera, sektori i tregtisë, kooperativa e pyjorja. Një zonë e zhvilluar, nga e cila banorët nuk kishin pse të largoheshin. Ndryshe ka ndodhur në këto 25 vite. Veç të mbeturve, një pjesë e madhe janë detyruar, pavarësisht vështirësive të shumta ekonomike, të zbresin me qira nëpër qytetet pranë. Një largim me kokën pas, nga ky vend ku kanë jetuar prej brezash e brezash, çfarë dëshmohet edhe nga mbetjet e një kalaje ilire, që fshihen sipër mbi tunelin e Shkopetit.

“Shumë njerëz kanë braktisur vendin. Kanë ikur nga këtu, qoftë me shtëpi me qira, qoftë jashtë në emigracion. Nuk mund të kthehen më këtu, sepse nuk kanë ku të shkojnë, ku do t’i shkollojnë fëmijët. Është vënë në rrezik jeta”, thotë Zef Zefi.

Shtëpitë, në masë dërrmuese janë rrënuar. Diku nga largimi i njerëzve, e diku nga pamundësia për të sjellë këtu, qoftë edhe mjetet më minimale për të bërë një riparim. Furnizimet në prag të dimrit bëhen për më shumë se 6 muaj. Kjo, sepse fryrja e lumit e bllokon këtë pjesë për një kohë të gjatë.

“Të vdesë dikush nga kjo lagje, a nga familja jonë, veç kur ta shtiem në fund të arës. S’kemi nga të kalojmë për ta dërguar deri në varreza. As për mort dhe as për dasma s’kemi rrugë nga të shkojmë. Le të na ndihmojnë e ta bëjnë këtë urë, se nuk ka edhe shumë punë. Duhet të na shpëtojnë, sepse të mbytet një derr në ujë edhe bëhet gjëma, jo më të të mbytet një njeri”, thotë një banore.

Ndoshta një pamje të tillë do të mund ta gjeje në çdo kartolinë, nëse ky fshat do të ishte pjesë e alpeve zvicerane, austriake, franceze a diku tjetër. Ndërsa në Shqipëri, ai bëhet pjesë e çudirave 100 për qind shqiptare.

“Kjo është lënë në mëshirë të fatit, asnjë lloj investimi. Vijnë të huaj. Rrinë dy-tri ditë, e shohin që s’ka urë, s’ka as shërbimin më të vogël, atëherë ikin”, thotë Sandër Malci.

Banorët e Shkopetit nuk po kërkojnë luks, dhurata, as që dikush t’u japë parà. Ata kërkojnë veç një urë, që të lidhen me njëri-tjetrin, një urë që të kalojnë e të jetojnë si njerëz normalë, pa dashur të luajnë çdo ditë mes jetës e vdekjes.

Apo mos vallë duhet pritur më parë, që dikush të vdesë, e më pas të themi se “kjo urë duhej bërë”…

Top Channel