Bashkëshortja e Ismailajt: E njoh Doshin, s’më ka kërcënuar. Duan të tërhiqemi

28/09/2015 20:10

Pas bërjes publike të lajmit për letrën e kreut të komisionit të sigurisë kombëtare, bashkëshortja e Kastriot Ismailajt ka kërkuar të reagojë duke deklaruar se e njeh Tom Doshin prej shumë vitesh. Ajo pranon se është takuar me deputetin Doshi javën e kaluar, por thotë se nuk ka folur për çështjen e burrit të saj.

Bashkëshortja e Ismailajt e konsideron letrën si kërcënim për shkak të procesit të arbitrazhit në Vjenë dhe ku shteti shqiptar kërkon që Ismailaj të tërhiqet nga kërkesa për dëmshpërblim.

Top Channel: Si quheni?

Gruaja e Kastriot Ismailaj: Vojsava Ismailaj, nënë e një djali dhe martuar me Kastriot Ismailaj prej 17 vjetësh.

Top Channel: Sot është publikuar një letër ku thuhet se jeni kërcënuar, a jeni kërcënuar dhe nga kush?

Vojsava Ismailaj: Është publikuar një letër nga zoti Braho. Unë nuk di të jem kërcënuar nga askush, as nga zoti Doshi, as nga zoti Prifti. Doshin e njoh që para 15 vitesh, e kam takuar, kam pirë kafe dhe asgjë më shumë.

Top Channel: Kur e keni takuar për herë të fundit Doshin?

Vojsava Ismailaj: Para disa ditësh. Mund të ketë qenë e martë ose e mërkurë.

Top Channel: Ku?

Vojsava Ismailaj: Tek “Sheraton”.

Top Channel: Për çfarë keni diskutuar?

Vojsava Ismailaj: Në vija të përgjithshme. Bisedë e lirë, kishim kohë pa u takuar dhe thjesht po diskutonim në vija të përgjithshme.

Top Channel: Sa kohë kishit pa e takuar?

Vojsava Ismailaj: Nuk e mbaj mend me saktësi. E kam takuar, jemi përshëndetur, por s’e mbaj mend me saktësi.

Top Channel: Keni diskutuar ndonjëherë për këtë çështje?

Vojsava Ismailaj: Absolutisht fare.

Top Channel: E kam fjalën për çështjen e bashkëshortit tuaj

Vojsava Ismailaj: Ka qenë një moment që ai më pyeti çfarë bëhet me Kastriotin. I thash se është në paraburgim dhe kaq, nuk vazhdoi më tej.

Top Channel: E njihni Dritan Priftin?

Vojsava Ismailaj: Jo.

Top Channel: E keni takuar?

Vojsava Ismailaj: Absolutisht jo.

Top Channel: Keni komunikuar ndonjë herë me të?

Vojsava Ismailaj: Absolutisht jo.

Top Channel: A jeni kërcënuar ndonjëherë gjatë këtyre muajve nga persona të tjerë?

Vojsava Ismailaj: Ka pasur indirekt dhe kërcënimet kanë qenë si shashka. Që do të thotë: Kastrioti të tërhiqet nga arbitrazhi që të lirohet. Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte.

Top Channel: Indirekte nga cilët persona?

Vojsava Ismailaj: Nga persona të panjohur për mua. Anonimë.

Top Channel: Me mesazh?

Vojsava Ismailaj: Qoftë edhe në rrugë.

Top Channel: Si ka ndodhur?

Vojsava Ismailaj: Kur kam qenë duke ecur në rrugët e bllokut kanë qenë personazhe që s’i kam parë dhe janë hedhur shashka të tipit ‘thuaj burrit të tërhiqet nga arbitrazhi, ose…’.

Top Channel: Si e konsideroni këtë letër?

Vojsava Ismailaj: Një presion nga shteti shqiptar. Një mesazh, një kërcënim nga shteti shqiptar.

Top Channel: Për ç’arsye?

Vojsava Ismailaj: Që të heshtim. Të heshtë Kastrioti.

Top Channel: Për ç’arsye duhet të heshtni?

Vojsava Ismailaj: E vërteta e kompanisë DIA, ose e vërteta e arbitrazhit për kompaninë DIA që i takon Kastriot Ismailajt.

Top Channel