Nju Jork, krerët e Kosovës bisedime edhe për FSK-në dhe krijimin e FA-ve

28/09/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ndodhur në Nju Jork, ka biseduar për të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me zëvendës/ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit të SHBA-ve për çështjet e Europës dhe Azisë, Hoyt Yee.

Në një komunikatë për media të qeverisë thuhet se, kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, takuan këtë të hënë zyrtarin e shtetit amerikan, me të cilin biseduan ndër të tjera për modalitetet e transformimit të FSK-së në FAK, si dhe përfundimin e mandatit të EULEX-it.

Ky proces ka ngecur së fundi, pasi Lista Serbe, si partner koalicioni në qeveri po e kundërshton ndryshimin e Kushtetutës për krjimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. E ardhmja e FSK-së u diskutua edhe në një takim, që ministri i Jashtëm Hashim Thaçi zhvilloi me zëvendësin e parë të nënsekretarit në zyrën për Çështjet Politike e Ushtarake të SHBA-ve, Todd Chapman.

Në një komunikatë për media thuhet se, Thaçi është shprehur se Kosova është gati të formojë Forcat e Armatosura dhe se për këtë ka marrë pajtimin e NATO-s, ndërsa tani po kërkon edhe pëlqimin e Kuvendit të Kosovës.

Top Channel