Presidenti në largim Blatter: Nuk largohem prej hetimeve zvicerane

28/09/2015 00:00

Sepp  Blatter ka deklaruar së fundi se nuk do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit tëi FIFA-s, vetëm për shkak të procedimeve penale të hapura ndaj tij nga prokurorët zviceranë.

Kreu i futbollit botëror, 79-vjeçar, dyshohet për nënshkrimin e një kontrate që ishte “e pafavorshme për FIFA-n” dhe se ka bërë një “pagesë pabesie” ndaj presidentit të UEFA-s, Michel Platini.

Blatter, i cili ka njoftuar më herët se do të largohet nga posti që mban në shkurt të 2016-s, pretendon se “nuk ka bërë asgjë të paligjshme apo të papërshtatshme”. Ndërkohë, edhe Platini, 60-vjeçari që kryeson institucionin europian të futbollit, u ka shkruar një letër anëtarëve të UEFA-s, ku mohon të ketë kryer ndonjë shkelje.

Në deklaratën e tij të publikuar nga avokatët mbrojtës, Blatter thotë se pagesa prej 1,5 milionë paund ndaj Platinisë në vitin 2011 ka qenë “një kompensim i vlefshëm dhe asgjë më shumë”.

Të dy këta përfaqësues të futbollit botëror janë duke u përballur me hetime edhe nga Komiteti i Etikës i FIFA-s për rastin e pagesës së dyshimtë, të cilën Platini thotë se ka qenë shpërblim për punën e bërë nga ai si këshilltar teknik i Blatterit gjatë viteve 1999-2002.

Platini, i cili është marrë në pyetje si dëshmitar nga oficerë të Prokurorisë së Përgjithshme të Zvicrës, shpjegoi se pagesa është bërë “në deklarim të plotë” ndaj autoriteteve.

Francezi shton se “ka qenë në dijeni se të tilla ngjarje mund ta dëmtonin imazhin dhe reputacionin e tij”, ndaj dhe lëshoi një deklaratë pikërisht për këto shkaqe: për të argumentuar dhe për të qenë transparent.

Top Channel