Champions, rivaliteti “Premier League”-“Serie A” për një vend më shumë

28/09/2015 00:00

Në rast të një përsëritjeje të performancave të vitit të kaluar në Europë, nga klubet angleze dhe ato italiane, do të bënte që Premier League të humbiste vendin e katërt në renditje, që të kualifikon për në kualifikueset e Champions League të sezonit 2017-2018.

Shfaqja e dobët e ekipeve të kampionatit anglez në Europë vitin e kaluar, duke qenë se asnjëri prej tyre nuk arriti në çerekfinalet e Championsit apo Europa League, ka dobësuar koeficentin e renditjes së Anglisë, ndërsa progresi i ekipeve italiane deri në fazat më të vonshme të të dy kompeticioneve kanë forcuar pozitat e tyre.

Tre kampionatet e renditura më lart në Europë; aktualisht Spanja, Gjermania dhe Anglia; kanë nga 4 vende në Champions, ndërkohë që kampionatet që renditen nga vendi i 4-t deri në të 6-in; aktualisht Italia, Franca dhe Portugalia; dërgojnë vetëm 3 skuadra në Champions. Këto vende aksesimi jepen vetëm në bazë të performancave të klubeve në të dyja kompeticionet europiane.

Por si funksionon renditja sipas koeficentëve dhe cilat janë skenaret që mund të detyrojnë Anglinë të humbasë vendin e katërt për në kualifikuese?

Për sezonin 2016-2017, Premier League e ka të garantuar që do të dërgojë 4 ekipe në Champions dhe kjo nuk ndryshon. Gjithsesi, performancat e dobëta të ekipeve angleze në ndeshjet e para në grupe të këtij sezoni, ku vetëm Chelsea arriti të fitonte në takimin hapës, nënkupton se diskutimet për koeficentët janë ndezur sërish.

Spanja dhe Gjermania vështirë se mund të humbasin vendet e tyre respektive, të parin dhe të dytin, të paktën jo në një periudhë afatshkurtër, por Italia e ka tërësisht të mundshme të tejkalojë Anglinë në renditje në një të ardhme të afërt.

Italisë do t’i duhet të parakalojë koeficentin e Anglisë me 3095 pikë gjatë këtij sezoni, në mënyrë që të mund të sigurojë 4 ekipe në Championsin e vitit 2017-2018. Deri më tani, në këtë fillim edicioni europian, anglezët janë me 0.959 pikë përpara italianëve, pavarësisht eliminimit të Southampton dhe West Ham nga Europa League. (Si shembull, finalja e Juventusit edicionin e kaluar i dha Italisë 4 pikë më shumë sesa kontribuoi Chelsea me eliminimin që në 1/8-at e finaleve për Anglinë.

Koeficentët e vendeve llogariten duke marrë mesataren e pikëve të fituara nga të gjitha ekipet që e përfaqësojnë atë vend në Europë. Anglia ka pasur 8 ekipe në garë për këtë sezon; Chelsea, Man City, Man Utd, Arsenal, Tottenham, Liverpool, Southampton dhe West Ham. Ky numër u shtohet rezultateve të 4 sezoneve të fundit për të llogaritur koeficentët, duke bërë një ecuri prej 5 vitesh në total, që është edhe një shifër tepër decizive.

Por si fitohen këto “pikë”?

Çdo ekip merr 2 pikë nga një fitore në secilën prej kompeticioneve europiane dhe 1 pikë për çdo barazim, ndërkohë që pikët përgjysmohen për ndeshjet në raundet kualifikuese dhe ato të “play-off”-it. Klubet që mbërrijnë në 1/8-at, çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen e Championsit, apo çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen e Europa League, sigurojnë pikë ekstra për secilin raund. Ndërkohë, 4 pikë jepen për pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Championsit dhe 4 pikë për kualifikimin në 1/8-at e këtij kompeticioni. Sasia e përgjithshme e këtyre pikëve që fiton një vend përpjestohet me numrin e ekipeve që e përfaqësojnë atë. Aktualisht, koeficenti i Anglisë për këtë sezon është 3625, ndërsa ai i Italisë është 2666.

E si mund ta humbasë Anglia vendin e 4-t që të çon në Champions?

Pavarësisht se performancat e ekipeve angleze në Europë kanë rënë në mënyrë drastike gjatë 3 viteve të fundit, ky i fundit pritet të jetë një dukuri ekstreme dhe e pazakontë. Në vitin 2006-2007, kur Serie A kishte dy ekipe në çerekfinalet e Championsit, ishte hera e dytë dhe e fundit që prej vitit 2003, që Italia ka tejkaluar Anglinë në Europë. Ndërsa në 9 sezonet pasuese Anglia e ka tejkaluar Italinë 6 herë.

Megjithatë, gjithçka varet nga Europa League, ku ekipet angleze dështojnë të lënë gjurmët e tyre dhe të sigurojnë pikë të vyera për koeficentët e përgjithshëm të klubeve. Që prej vitit 2010-2011, Chelsea është i vetmi ekip anglez që ka arritur të paktën gjysmëfinalet e kompeticionit të dytë madhor të Europës, ndërsa e fitoi atë në sezonin 2012-2013. Në atë kohë, Italia kishte 3 gjysmëfinaliste.

Kështu që, edhe nëse ekipet angleze në Champions rezultojnë me hapa fals, një ecuri e mirë nga Liverpooli apo Tottenhami deri në finalen e Europa League, mund të jetë deciziv për Anglinë.

Top Channel