Vlorë, të shtëna me armë në drejtim të policisë në një postbllok

29/09/2015 02:35

Persona të armatosur kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave të policisë gjatë orëve të vona të së hënës në një pikë kontrolli në qytetin e Vlorës.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në vendin e quajtur “Sherishtë”. Policia ka bërë të ditur se gjatë një shërbimi për kontrollin e mjeteve dhe personave që lëvizin me armë zjarri dhe sende të kundraligjshme, të vendosura në dy pika kontrolli, një nga grupet e shërbimit ka konstatuar dy automjete, një “Benz” me targë AA191HS dhe një “Land Rover” me targë VL1553D që ecnin me shpejtësi. Pas 100 metra distancë, dy makinat kanë ndaluar dhe pasi shërbimi i policisë i është afruar, shoferi i “Land Roverit” ka qëlluar me pistoletë në drejtim të makinës së Policisë dhe  janë larguar me shpejtësi.

Menjëherë, shërbimi ka komunikuar me makinën tjetër të Policisë që ishte në pikën tjetër të postobllokut e cila ka bërë ndalimin e të dy mjeteve që po lëviznin njëri pas tjetrit në drejtim të Vlorës.

Sipas policisë, personat që ndodheshin në “Land Roverit”, kanë braktisur makinën, ndërsa 3 persona të tjerë janë bllokuar në mjetin tip “Benz”, ku ka rezultuar që njeri prej tyre ishte i plagosur. Pasi është pyetur nga policia, ai ka deklaruar se është plagosur në fshatin Kotë, por rrethanat e plagosjes janë ende të paqarta për policinë.

Policia e Vlorës ka bërë të ditur se në automjetin e braktisur “Land Rover”, janë konstatuar 2 automatikë, ndërsa janë shoqëruar në komisariat dy vëllezërit Vasil dhe Ilir Birçaj, përkatësisht 37 dhe 46 vjeç, si dhe shtetasi i plagosur: Martin Hitaj 35 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal. Vëllezërit Birçaj janë ndaluar nga policia për “Mosbindje ndaj urdhrit të policisë” dhe “Mbajtja e armëve dhe municioneve pa leje”.

Policia është duke kryer të gjitha veprimet e para hetimore, këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes nën drejtimin e Prokurorit të gatshëm.

Top Channel