Takimi me Obamën, Putin: Rusia mund të përfshihet në sulmet ajrore anti-ISIS

29/09/2015 08:30

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po shqyrton mundësinë nëse mund t’u bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik.

Zoti Putin foli pas takimit me homologun Barack Obama në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Rusia do të kryejë sulme ajrore vetëm nëse ato aprovohen nga Kombet e Bashkuara”, ka deklaruar Putin, i cili nga ana tjetër ka përjashtuar pjesëmarrjen e trupave ruse në operacione tokësore.

Dy liderët qëndruan kokë më kokë për 90 minuta, një takim që shefi i Kremlinit e ka cilësuar si “shumë konstruktiv, me rëndësi dhe të sinqertë”.

Ky ishte takimi i parë i dy presidentëve më të fuqishëm të botës në thuajse një vit dhe në axhendën e tyre përfshihej edhe çështja e Ukrainës.

Një zyrtar i qeverisë amerikane deklaroi se, asnjë nga presidentët nuk kërkonte arritjen e rezultateve konkrete në këtë takim, por të dyja palët ranë dakord që të hapin linja komunikimi në mënyrë që të shmangen incidente ushtarake në territorin sirian.

Më herët para takimit, presidenti Putin deklaroi se do të ishte një “gabim i madh” të mos bashkëpunohet me presidentin sirian Bashar al Assad për të frenuar avancimin e ISIS.

Reagimi i tij erdhi pasi presidenti Obama e cilësoi Assad një “tiran”, ndërsa francezi Hollande tha se, ai duhet të largohet.

“Ata nuk janë qytetarë të Sirisë dhe për rrjedhojë nuk mund të përfshihen në zgjedhjen e lidershipit të një vendi tjetër”, deklaroi Putin.

Top Channel