Largohen padrejtësisht nga puna, 200 punëtorë të “Kurum” në protestë

29/09/2015 08:50

Kompania turke e prodhimit të çelikut, “Kurum” ka larguar nga puna me një vendim të vetëm më shumë se 200 punonjës.

Me pretendimin se nuk ka shitje dhe kompania është në vështirësi, “Kurum” mori vendimin për largimin nga puna të një numri të konsiderueshëm punonjësit.

Të mbështetur edhe nga sindikatat, punëtorët e larguar kanë zhvilluar këtë të martë një protestë para ambjenteve të kompanisë, ndërkohë që shprehen se do t’i përshkallëzojnë protestat në rast të mos zgjidhjes se këtij problemi.

Ata kanë kërkuar që shteti të marrë masa të menjëhershme, pasi mijëra vetë tashmë janë pa asnjë të ardhur për të jetuar, duke e shtuar edhe më tej krizën sociale që aktualisht ekziston në Elbasan.

Ndërkohë, në këtë protestë ka patur edhe punonjës të cilët janë dëmtuar gjatë punës në këtë kompani. Duke treguar plagët, ata kanë deklaruar se largimi i invalidëve nga puna është i paligjshëm.

Edhe pse sindikatat prej disa muajsh janë në negociata në Ministrinë e Punës për zgjidhjen e problemit me “Kurum”, drejtuesit e kësaj kompanie nuk kanë ngurruar t’i flakin ata në rrugë.

Këta punëtorë që sot gjenden pas dyerve të Kurum, për vite me radhë kanë punuar me orë të zgjatura, natën e ditën, në kushte të rënda punë, vetëm për të ushqyer familjet e tyre. 

Top Channel