Afganistan, forcat e sigurisë, ofensivë për rimarrjen e Kunduzit

29/09/2015 10:30

Forcat afgane të sigurisë kanë nisur një operacion për rimarrjen nën kontroll të qytetit të Kunduzit, i cili u pushtua tërësisht nga talebanët ditën e hënë.

Një zëdhënës i policisë ka deklaruar se njësitë speciale kanë pastruar tashmë zonën përreth burgut qendror dhe zyrave të policisë.

Ndërkohë, forcat ajrore amerikane kanë bërë me dije se kanë kryer një sulm ajror ndaj vendndodhjeve të talebanëve në qytet këtë të martë.

Sulmi i guerrilasve erdhi në një kohë kur presidenti Ashraf Ghani ka bërë plot 1 vit nga marrja e detyrës.

Ai ishte një nga ofensivat më të mëdha të militantëve ndër vite dhe pritet që të shkaktojë reagime ndaj qeverisë së zotit Ghani.

Kunduzi është qyteti i parë që bie në duart e talebanëve që kur ata humbën pushtetin në vitin 2001, si pasojë e pushtimit amerikan.

Por korrespondenti i BBC në Afganistan deklaron se sfida kryesore e administratës së re do të jetë si ta mbajë nën kontroll qytetin. Aktualisht përforcime kanë mbërritur nga provincat fqinje.

“Po zhvillohen luftime të ashpra. Forcat tona të sigurisë kanë rimarrë nën kontroll pjesët strategjike të qytetit, por ka ende shumë shkëmbime zjarri në zona të tjera”, deklaroi një zyrtar i Ministrisë së Brendshme për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Top Channel