Gjermani, qeveria miraton paketën e re për azilkërkuesit

29/09/2015 11:35

Kabineti gjerman zyrtarizoi atë që ishte profetizuar prej kohësh në media, ishte pohuar nga vetë kancelarja Angela Merkel dhe politikanë të tjerë vendas, e që priste dritën jeshile të ekzekutivit.

Paketa e ligjeve më të ashpra të azilit u miratua e tanimë do të presë vetëm aprovimin e Dhomës së Lartë e të Ulët të Parlamentit gjerman, ku nuk parashikohen pengesa. Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi i janë shtuar kësisoj listës së vendeve të tjera ballkanike si vende të origjines së sigurtë.

Nga ky moment, procedurat e azilit do të përshpejtohen dhe emigrantët të cilëve u mohohet kërkesa për azil pasi gjykohet se nuk kanë nevojë për mbrojtje, do të kthehen me urgjencë në vendet e tyre.

Deportimet e azilkërkuesve nga Shqipëria e Kosova janë shtuar ndjeshëm, sidomos kohët e fundit në mënyrë që të krijohen sa më shumë hapësira për refugjatët nga Siria e zona të tjera konflikti, që kërkojnë strehim në Europë.

Masat e aprovuara nga qeveria gjermane përfshijnë edhe ndërtimin e shpejtë të qendrave shtesë të pritjes, si dhe një shumë fikse prej 670 eurosh në muaj për emigrantë që do t’i paguhet komuniteteve lokale duke nisur nga viti i ardhshëm.

Paratë e xhepit të përfituara aktualisht nga të ardhurit do të zëvendësohen me shërbime të ndryshme. Për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, rreshtimi në listën e vendeve të sigurta do të shkojë paralelisht me shkurtimin e asistencave për grupet e refugjatëve të mbërritur prej andej.

Qeveria gjermane konsideron se emigrantët shqiptarë, kosovarë e malazezë nuk jane të rrezikuar pasi nuk përndiqen politikisht. E ndërsa për grupe të caktuara azilkërkuesish parashihen shkurtime të dukshme të asistencave, për personat me shanse pranimi të azilit do të synohet integrimi më i shpejtë përmes ndjekjes së kurseve të gjuhës.

Top Channel