Droga, PD: Fqinjët të shqetësuar, Rama krekoset me Tahirin

29/09/2015 11:50

Partia Demokratike e ka cilësuar si “tronditëse” deklaratën e bërë para pak ditësh nga prokurori i Antimafias së Leçes, Cataldo Motta, mbi trafikun e drogës nga Shqipëria.

“Ai tha se droga nga Shqipëria në Itali vazhdon me të njëjtat ritme, duke theksuar edhe narkotikët e fortë të Afganistanit që kalojnë tranzit në vendin tonë. Por, më shqetësuesja, tha zyrtari i lartë Italian, është se tani ka nisur edhe trafiku i armëve”, ka deklaruar deputeti Keltis Kruja.

Ai ka kujtuar se, prokurori i Antimafias tha gjithashtu se krerët e grupeve kriminale që veprojnë në Itali e më gjërë gjenden në Shqipëri.

“Këto këmbana alarmi nga vendi fqinj vijnë në kohën kur Shqipëria është mbuluar nga droga dhe kur në krye të Ministrisë së Rendit qëndron personi i akuzuar me prova e me fakte si i lidhur drejtpërdrejt me bandat e trafikut”, ka thënë Kruja.

Ai është shprehur se, është normale që autoritetet e vendit fqinj të shqetësohen, sidomos kur bandat e narkotrafikut përdorin makinën personale të Saimir Tahirit dhe rrjedhimisht gëzojnë imunitet të plotë dhe nuk preken dot nga policia.

“Sigurisht që trafiku i drogës drejt Italisë do të vazhdojë deri kur të afërmit e ministrit, një grup kriminal i mbajtur nën vëzhgim, të njohur si kontigjentë, do të përdorin edhe makinën e ministrit, edhe skafin e tij. Edi Rama mund të vazhdojë me propagandën e tij, mund të vazhdojë të jetë krenar me Saimirin e targës “AA 003 GB”, por e vërteta që dinë autoritetet italiane është ndryshe, është tronditëse”, ka vijuar Kruja.

Edhe e vërteta që dinë qytetarët shqiptarë, sipas tij, është ndryshe. “E vërteta është se droga ka mbuluar vendin dhe se ministri i Rendit është këmbë e krye i lidhur me trafikun e trafikantët. Ka vetëm një rrugë. Largimi i tij nga detyra dhe nisja e një hetimi të plotë e serioz”, ka shtuar deputeti demokrat.

Top Channel