Nga se humb aftësia e nuhatjes?

29/09/2015 12:00

Humbja e hershme e të nuhaturit është një shenjë e transmetimit të dobët të sinjaleve midis neuroneve primare e sekondare, si dhe mungesë e rigjenerimit të qelizave, çka tregon se u kanoset një rrezik për shëndetin e tyre.

Në një studim, shkencëtarët e Universitetit të Çikagos kanë testuar aftësitë nuhatëse të tre mijë të rriturve nga mosha 57 deri në 85 vjeç, ndërsa kanë dalë në përfundimin se personat që nuk janë më të aftë të ndiejnë aromat, u kanoset një rrezik për shëndetin e tyre. Sipas autorëve të këtij studimi, kjo mund të varet nga ekspozimi në një ambient me nivel të lartë ndotjeje që përgjatë jetës ka ndikuar në ndjesinë e të nuhaturit. Ose mund të jetë një sinjal i mungesës së ripërtëritjes së qelizave që shfaqen te hunda ashtu si në pjesë të tjera të organizmit.

Bllokohet “qarku” mes neuroneve primare dhe sekondare

Gjatë analizave është përpjekur të sqarohet mekanizmi bazë i fenomenit. Për ta bërë këtë, janë përdorur krimba nematodë me një substancë me aromë si e bajames. Shkencëtarët në këtë mënyrë kanë zbuluar se qelizat, të cilat u korrespondojnë stimujve mjedisorë, janë të ndarë në dy kategori të ndryshme: neuronet primare reagojnë ndaj substancës në fjalë, ato dytësoret, ndaj sinjaleve të dërguara prej neuroneve primare. Te krimbat e rinj, ky qark nervor funksionon mirë, por kur plaken, ata sekondarët bëhen më pak aktivë në përgjigjen ndaj sinjaleve të ardhura prej neuroneve primare.

Reagimi i krimbave në laborator

Pasi kanë parë këtë fenomen, studiuesit ishin në gjendje të tregonin një lidhje mes aftësisë së ulët të të ndierit të aromave, aktivitetit të neuroneve sekondare dhe kohëzgjatjes së jetës së krimbave. Në veçanti, krimbat më të vjetër, ata të cilët kanë shfaqur një aftësi më të mirë të të nuhaturit, jetojnë rreth 16% më gjatë sesa ata që lodhen së dalluari një aromë. Rezultate që në fakt konfirmojnë lidhjen e ngushtë mes të nuhaturit dhe jetëgjatësisë mesatare.

A e dëmton stresi shqisën e të nuhaturit?

Ekziston një arsye e mirë se pse çdo gjë na duket ndryshe kur jemi nën stres, zbulojnë shkencëtarët amerikanë. Studimi i kohëve të fundit, botuar në periodikun “Journal of Neuroscience”, zbulon se stresi mund të zvogëlojë aftësitë shqisore, sidomos nuhatjen.

Studimi përfshiu 14 subjekte të shëndetshme. Shkencëtarët nxitën ankth te pjesëmarrësit përmes prezantimit të imazheve shqetësuese. Rezultatet treguan se pjesëmarrësit i njihnin dukshëm më pak aromat e përditshme kur ata ishin nën ankth. Pas vëzhgimit të reagimeve të trurit, shkencëtarët zbuluan se aktiviteti ishte rritur në pjesën emocionale të trurit dhe është zvogëluar aktiviteti i trurit që është përgjegjës për identifikimin e aromës.

“Hulumtimi ynë vërteton atë që kanë treguar studimet e mëparshme dhe kjo do të thotë se stresi dëmton cilësinë e jetës”, tha udhëheqësja e studimit, prof. Wen Li. Hulumtuesit theksojnë se rezultatet e këtij studimi janë paraprake dhe se nevojiten vlerësime të ekspertëve të jashtëm.

Synohet të ndërmerren veprime në sistemin nervor

Sipas autorëve, hapi tjetër do të jetë pra, ai i gjetjes së një metode për të manipuluar sistemin nervor dhe për të kontrolluar ndërveprimin mes neuroneve primare dhe sekondare për të rinuar funksionet e trurit, të cilat humbin me kalimin e moshës.

Diçka për të nuhaturit

Perceptuesit shqisorë për nuhatjen apo të nuhaturit janë të vendosur lart në kanalet hundore, që shtrihen nga hunda deri te fyti. Avujt ndërveprojnë kimikisht në epiteliumin nuhatës, për të prodhuar impulse nervore, të cilat shkojnë te bulbet olfaktore të trurit për t’u interpretuar dhe reaguar. Megjithëse njerëzit janë të aftë për të përdorur aromat në bashkëveprimet sociale, nuk dihet se deri në ç’masë e bëjnë faktikisht këtë gjë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel