Fullani kërkon gjykim të shkurtuar

29/09/2015 13:45

Ish-guvernatori Ardian Fullani, nën akuzë për shpërdorim detyre si pasojë e së cilës, sipas prokurorisë, i është shkaktuar shtetit shqiptar një dëm i konsiderueshëm ekonomik, zgjedh të kursejë gjykatën.

Avokati i tij mbrojtës Maksim Haxhia pohoi se për ekonomi gjyqësore ish-guvernatori kërkon gjykim të shkurtuar, pasi nuk është e nevojshme që të investohet gjykata, përsa kohë çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet.

Avokati i cili përfaqëson Fullanin me prokurë të posaçme këmbënguli për pafajësinë e klientit të tij: “Gjykim i shkurtuar nuk do të thotë që ne pranojmë fajin. Fullani është i pafajshëm”.

Megjithëse ishte seanca e parë gjyqësore, ish-guvernatori nuk u paraqit.

Në datën 6 tetor, palët do të shpallin konkluzionet për dosjen nën shyrtim, në të cilën Fullani akuzohet për dy episode. Në të parin, Fullani shikohet si shpërdorues i detyrës përsa kohë shikohet i dyshimtë në mosrespektimin e rregullave dhe udhëzimeve të Këshillit Mbikqyrës, nga moszbatimi i të cilave u shkaktua vjedhja e degës së Thesarit prej 713 milionë lekësh.

Në episodin tjetër, sërish mbi Fullanin rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës për hotel “Dajtin”, për të cilin Këshilli i Ministrave ka vendosur shitjen e tij përpara se banka të hapte procedurat e blerjes.

Top Channel