Rooney: Nuk e kërkova unë largimin nga United

29/09/2015 14:00

Wayne Rooney nuk e ka kërkuar kurrë largimin nga Manchester United. Sulmuesi anglez e ka rrëfyer këtë në një dokumentar të realizuar nga BBC për arritjet e tij me skuadrën përfaqësuese. Në vitin 2013, Rooney u fol se kishte bërë një kërkesë transferimi në zyrat e “Djajve të Kuq” për shkak të raporteve jo shumë të mira me Sir Alex Ferguson në vitet e fundit të qëndrimit të skocezit në pankinën e United.

“Unë u takova me Fergusonin për t’i thënë se nëse ai nuk do të më aktivizonte, për mua do të ishte më mirë të shihja përpara. Kjo shprehje doli menjëherë në media dhe arriti deri aty sa u tha se kisha bërë kërkesë për transferim, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë. Nuk e di se çfarë ndodhi, por gjërat shkuan në këtë mënyrë”, tha sulmuesi anglez.

Rooney më pas theksoi se ka konsideratën më të lartë për Fergusonin, pavarësisht përplasjeve me të, duke shtuar se skocezi ishte arsyeja që ai pranoi të kalojë te Manchester United në vitin 2004.

“Doja të punoja me Fergusonin dhe kjo është arsyeja që vendosa të transferohesha në Manchester. Për mendimin tim, ai është trajneri më i mirë i të gjitha kohërave”, deklaroi Rooney.

Top Channel