Zgjedhje të lira? Ekspertët: Duhet administrim i pavarur i procesit

29/09/2015 00:00

Shqipëria do të ketë fituar betejën për arritjen e standardeve elektorale, kur administrata zgjedhore të jetë e pavarur.

Ekspertët më të lartë ndërkombëtarë, që asistojnë proceset elektorale në vendin tonë, nuk kanë formulë tjetër për t’ia rekomanduar Shqipërisë, në mënyrë që t’u japë fund proceseve me standarde të cënuara, që do të mbeten të tilla – sipas tyre, – për sa kohë administrata zgjedhore do të jetë tejet e politizuar.

“Në përmbushje të standardeve zgjedhore ka disa modele të vlefshme të administratës zgjedhore. Por, ajo që është parë si tendencë në botën e zhvilluar tani, janë komisionet e pavarura dhe apolitike. Kjo do të ndodhë dhe duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Duhet mbajtur në konsideratë fakti, që ky është një proces që kërkon një kohë të gjatë, por është një proces që mund të nisë të zbatohet hap pas hapi. Për shembull, mund të nisë me grupet e numërimit të votave”, tha Richard Lappin, këshilltar i lartë zgjedhor nga OSBE-ODIHR.

Në tryezën e Këshillit të Europës, për analizën e paszgjedhjeve në vendin tonë, interesi ishte edhe për atë që konsiderohet si temë e ditës në skenën politike shqiptare, dekriminalizimi. A janë listat e hapura të kandidatëve, një mënyrë për t’u hequr kryetarëve të partive të drejtën për emërimin e kandidatëve për deputetë?

Ekspertët ndërkombëtarë nuk bënë një rekomandim të drejtpërdrejtë, por sollën si argument faktin se, vendet si Kroacia apo edhe Maqedonia fqinje po shkojnë drejt sistemit me lista të hapura të kandidatëve.

Top Channel