Pozita e Maqedonisë në botë, opozita: Po rrënohet gjithnjë e më shumë

29/09/2015 00:00

Maqedonia po humbet gjithnjë e më shumë peshën e saj në raportet diplomatike me vendet e zhvilluara perëndimore. Kështu thonë përfaqësuesit e partisë maqedonase në opozitë, LSDM, sipas të cilëve, shumë shtete po zhvendosin përfaqësitë e tyre diplomatike nga Shkupi, në Tiranë dhe Beograd.

Deputetja e Lidhjes Social-Demokrate, Lidija Dimova, duke folur për mbylljen e Ambasadës së Norvegjisë në Maqedoni tha se, vendi po bëhet “rrugë qorre” në Ballkan.

“Sinqerisht, kjo më shqetëson shumë, sepse dalëngadalë ndihma dypalëshe po largohet prej këtu, e po përqendrohet në Beograd. Nga ana tjetër, kohë më parë në Tiranë u hap një zyrë për të rinj, në kuadër të procesit të Berlinit. Kështu, ngadalë por e sigurt, Maqedonia po shndërrohet nga qendra e Ballkanit Perëndimor në një rrugë qorre”, tha Lidija Dimova, deputete e LSDM-së.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Oslo, Enver Abdullahi tha se, Norvegjia ka mbyllur përfaqësinë e saj diplomatike në Shkup, në vitin 2012, për arsye financiare. Duke raportuar për punën gjatë mandatit të tij, si ambasador në Norvegji, Abdullahu theksoi nevojën për rritjen e stafit dhe buxhetit në përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë nëpër botë.

“Unë isha entuziast, pasi isha i vetëm në Ambasadë dhe punët i kryeja pa staf. Ne këtu, në Komisionin për Politikën e Jashtme, duhet të përqendrohemi rreth strukturës së rrjetit tonë diplomatik dhe të bisedojmë lidhur me kapacitetet që kemi, për të ruajtur lidhjet diplomatike”, tha Enver Abdullahi, ish-ambasador i Maqedonisë në Norvegji.

Drejtuesit e opozitës maqedonase, vazhdimisht kanë akuzuar kryeministri Nikola Gruevski se, me politikat e tij po izolon vendin dhe se e ka rrënuar imazhin e Maqedonisë në arenën ndërkombëtare.

Top Channel