Kosovë, opozita: Mbi 100 mijë firma në peticionin kundër “Zajednicës”

29/09/2015 00:00

Grupi koordinues, për peticionin e tri partive opozitare në Kosovë, ka bërë të ditur se deri më tani, mbi 100 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër Asociacionit të komunave serbe dhe Demarkacionit (përcaktimit të vijës kufitare) me Malin e Zi.

Përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në një konferencë për media kanë bërë thirrje, që të respektohet vullneti qytetar nga kryeministri Isa Mustafa, duke tërhequr nënshkrimin e tij nga këto marrëveshje.

“Janë 101 mijë e 672 qytetarë, të cilët me vendosmërinë  më të madhe i kanë thënë ‘Jo’ marrëveshjeve të fundit me Serbinë, ‘Zajednicës’, dhe demarkacionit me Malin e Zi. Duke parë numrin e madh të nënshkrimeve kundër këtyre marrëveshjeve, një kryeministër normal duhet të reflektonte dhe të tërhiqte nënshkrimin nga këto marrëveshje. Ndaj dhe sot, ne bashkërisht nga këtu i bëjmë thirrje kryeministrit Mustafa, që të tërheqë nënshkrimin nga këto marrëveshje dhe, nëse nuk e bën këtë gjë, atëherë zgjidhja më e mirë do të ishte të jepte dorëheqjen nga qeveria”, tha Nol Nushi, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas përfaqësuesve të partive opozitare, nënshkrimi i peticionit do të vazhdojë deri sa ka gatishmëri të qytetarëve për ta nënshkruar atë.

Ata thanë se, peticioni është instrument demokratik, i cili aplikohet kur zëri i qytetarëve nuk respektohet, ndaj nëse këto firma nuk do të përfillen nga qeveria, grupi koordinues opozitar paralajmëroi metoda të tjera, për kundërshtimin e marrëveshjeve të fundit në Bruksel.

Top Channel